Botë

Protestë në Hagë, shqiptarët duan lirimin e ish krerëve të UÇK-së

14.09.2025 17:00

Mijëra shqiptarë nga e gjithë bota janë mbledhur afër Gjykatës Speciale në Hagë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së...

Mijëra shqiptarë nga e gjithë bota janë mbledhur pranë parkut të muzeut Madurodam, afër Gjykatës Speciale në Hagë, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tashmë pesë vjet po mbahen në paraburgim. Me flamuj kombëtar dhe ata të UÇK-së, protestuesit, familjarë dhe përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta, me brohoritje kërkuan drejtësi dhe proces të drejtë gjyqësor. 
 
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, theksoi se proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk janë vetëm çështje juridike, por prekin dinjitetin e një populli të tërë.
 
“Sot këtu në zemër të Evropës, nuk flasim vetëm për katër mure, për një proces gjyqësor, apo për disa aktakuza. Ne flasim për dinjitetin e një populli, për një drejtësi që na është mohuar, për historinë e shenjtë të UÇK-së që po përpiqen ta shtrembërojnë. Liria nuk ishte dhuratë, ishte gjaku e sakrifica e djemve e vajzave që ranë për tokë e flamur. Mos i gjykoni çlirimtarët si kriminelë, ndërsa kriminelët e vërtetë të Serbisë sot gëzojnë lirinë e tyre. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, jo vetëm për UÇK-në.”, u shpreh kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati.
 
Bashkë organizatori i protestës në Hagë, Fatmir Koci, theksoi se shqiptarët e Kosovës nuk kanë qenë as agresorë, as pushtues.
 
“Ne ishim njerëz të pafajshëm që luftuam për lirinë tonë, për vendin tonë. Dhe sot, pas gjithë sakrificave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta sjellë lirinë, përballemi me një padrejtësi të pafalshme, e cila po shkatërron jetët e atyre që sakrifikuan gjithçka për ne.”, u shpreh bashkë organizatori i protestës, Fatmir Koci.
 
Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch, i cili kishte shërbyer për disa vite në Kosovë, pikërisht në kohën e themelimit të Gjykatës Speciale ka mbajtur një fjalim para protestuesve sot në Hagë.  
 
“Më kujtohet shumë mirë  kur shkova dhe e takova Thaçin e ai ishte pak i shqetësuar, unë i thash nuk ke nevojë të jesh i shqetësuar, sepse nëse është një gjyq i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave. Por, unë nuk kisha të drejtë fatkeqësisht, sepse gjyqi nuk doli të ishte aq serioz sa unë kisha pritur të ishte.”, u shpreh Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.
 
Bosch tha se UÇK-ja ishte këmba e NATO-s në tokë. “Ta quash UÇK-në si organizatë kriminale ky është ofendim edhe për vetë NATO-n, sepse NATO-ja nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, tha në fund ai.
 
FITIM KRYEZIU