Maqedoni

Shkatërrohen lëndë narkotike dhe armatim, Toshkovski: Rritet siguria e qytetarëve

15.09.2025 14:04

Sot në fabrikën “Makstil” në Shkup u shkatërruan lëndë narkotike dhe armatim....

4 mijë tonë marihuanë, 18 mijë fidanë marihuanë, 79 kilogramë bimë narkotike, 21 kilogramë amfitamina, heroinë dhe kokaina, si dhe 100 copë armë dhe 1.000 gëzhoja u shkatërruan në fabrikën “Makstil” në Shkup.  Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se droga dhe armët nuk kanë të ardhme në vendin tonë dhe po punohet në ngritjen e sigurisë së qytetarëve në vend. Sasitë e shkatërruara të drogës dhe armëve, tha Toshkovski, janë të mbledhura gjatë viteve të kaluara, ku tashmë  kishin përfunduar procedurat e tyre ligjore.
 
“Dëshirojmë të dërgojmë mesazh të qartë se droga dhe armët e paligjshme nuk kanë të ardhme në Maqedoni. Me proceset e shkatërrimit të çdo gram droge dhe çdo copë arme,  shteti po tregon se siguria e qytetarëve në Maqedoni dhe siguria e të rinjve po ngrihet në një nivel më të lartë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Por, MPB-ja këtu nuk do të ndalet, shton Toshkovski. Planifikohen të shkatërrohen edhe sasi të tjera të armëve dhe lëndëve narkotike, të cilët më herët janë konfiskuar dhe do të konfiskohen nga autoritetet.  Me këtë rast, shton Toshkovski, një pjesë e qytetarëve do të  çlirohen nga “kthetrat” e bandave kriminale.
 
“Do të dërgoj mesazh publik deri te gjithë qytetarët, të cilët gjatë periudhës së kaluar ishin të nënshtruar nga bandat kriminele, sidomos në rajonin e Shkupit, Maqedoninë Perëndimore dhe Juglindore, se me zgjidhjen e bandave kriminale, me sekuestrimet e lëndëve narkotike dhe armëve edhe në të ardhmen do të vazhdojmë t’i shkatërrojmë dhe të sekuestrojmë sasitë edhe më të mëdha.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Aksioni u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Agjencinë për Pronat e Konfiskuara dhe me partnerët  ndërkombëtarë OBSE dhe Sisar.
 
REXHEP QAMILI