Trubareva pas zjarrit, heshtje, erë që kundërmon, shkolla të zbrazëta

15.09.2025 14:21

Heshtje, rrugë bosh, shtëpi dhe shkolla të zbrazëta...

Heshtje, rrugë bosh, shtëpi dhe shkolla të zbrazëta, kjo është gjendja që mbizotëron në Trubarevë dy ditë pas zjarrit në fabrikën për reciklimin e mbeturinave elektronike. Numri më i madh i banorëve janë strehuar tek të afërmit e tyre, ndërsa ata pak që kanë mbetur rrëfejnë se atmosfera është e zymtë, ndërsa frika nga ajri i ndotur dhe tymi i shoqëruar me erën e keqe ndihen kudo.

Ata shpresojnë që institucionet të ndërmarrin masa të nevojshme, teksa nuk dëshirojnë t’i lëshojnë vatrat e tyre. Tragjedinë edhe më të madhe e ka penguar era në drejtimin e kundërt, ku kanë qenë e vendosur depoja e bombolave të gazit.

“Reja ime Lidija, kur ndodhi rasti ajo humbi vetëdijen dhe e dërguan në spital. Ja dhe sot akoma është në spital, thuajse dita e tretë. Ajo ankohej për probleme me frymëmarrjen, kokëdhimbje dhe marramendje.”, - tha një qytetar.

“Ku të shkojmë?! Duhet te familjarët  dhe  miqtë. Nuk kam ku. Familjen, nipërit dhe mbesat i largova në një vend më të sigurt. Tani në mëngjes sërish ndihet aroma e djegies, lot në sy. E gjithë hapësira mban erën e tymit dhe erës së keqe.”, - tha një qytetar tjetër.

Ndërkohë, për shkak të zjarrit dhe pasojat e mundshme për shëndetin, shkollat fillore në Trubarevë që janë në kuadër të komunës së Gazi Babës, mësimin do ta vazhdojnë online nga data 15 deri më 19 shtator. Një përvojë të tillë nxënësit dhe mësimdhënësit e kishin vite më parë kur ishte prezent virusi "Korona".

“Është më e lehtë të inkuadrohen online dhe të dëgjojnë, se sa të zgjohen herët dhe të vinë në shkollë. Ashtu ishin rrethanat. Dikush edhe sikur të donte të jetë në shkollë, por për shkak të sigurisë së tyre dhe shëndetit, mësimi duhet të vazhdojë sipas rekomandimit të Ministrisë së Arsimit dhe Inspektoratit Shtetëror për ambientin jetësor.”, - u shpreh drejtoresha e shkollës fillore "Krum Toshev".

Ndërkohë, ambienti i ndotur si pasojë e djegieve të deponive të njëpasnjëshme në kryeqytet ka shkaktuar revolt dhe protesta të qytetarëve.

Nisma e qytetarëve “Stop për Vardarishten”, mbajti një protestë tek ura “Binjakët”, që lidh komunën e Aerodromit dhe atë të Gazi Babës.

Sipas tyre, ata janë vendosur për një hap të tillë, për shkak të veshit të shurdhër të autoriteteve për kërkesat e qytetarëve dhe helmimit në rritje të kësaj popullate.

Ata kërkojnë zgjidhje për problemin e deponive të paligjshme, rehabilitimin e deponisë së Vardarishtes, një metodë të përshtatshme për asgjësimin e mbeturinave dhe modernizimin e deponisë së Drisllës. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)