Kuvend, shënohet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë

15.09.2025 14:43

Vendi ynë, sikurse edhe të gjitha vendet e botës demokratike...

Vendi ynë, sikurse edhe të gjitha vendet e botës demokratike, shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Me këtë rast, në ambientet e Kuvendit u organizua seminar edukativ me temë "Demokracia dhe Parlamenti” për nxënësit e shkollave të mesme.

Nxënësit nga afër kishin mundësi të dëgjojnë nga udhëheqësit e shtëpisë ligjvënëse se si sillen ligjet, dhe me çfarë sfidash ballafaqohen të përzgjedhurit e popullit.

“Thelbi i demokracisë është në atë se çfarë ne punojmë për të tjerët, e ajo është edhe botëkuptimi i demokracisë dhe i jetës në përgjithësi. Të bësh diçka mirë për veten është diçka në mënyrë instiktive,por të bësh diçka për tjetrin është ajo vetëdija humane dhe njerëzore. Prandaj do të kërkoja nga ju, që përpos vizionit që keni, se çka do të bëheni nesër, dua që ta ndërtoni paralelisht një komponent tjetër e ajo është aktiviteti politik dhe shoqëror i secilit prej jush.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

“Demokracia nuk është sistem ideal, ka lëshimet e veta, ajo mund edhe të keqpërdoret, por në fund mund të themi se demokracia është sistemi më i mirë për menaxhimin, kontrollin dhe zgjedhjen e besimit të qytetarëve në drejtim të atyre që na udhëheqin.”, - theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski.

Nga ana tjetër, zëvendësambasadori i Konfederatës Zvicerane, Mihall Harari, potencoi se është për të ardhur keq se shumë njerëz në rruzullin tokësor jetojnë jashtë sistemit të vlerave dhe të demokracisë.

“Demokracia nuk është një prodhim i harxhuar. Ajo është një proces i cili lëviz në kontinuitet. Ajo që është e nevojshme për demokracinë, njerëzit duhet të jenë të kyçur aktiv, të jenë të guximshëm dhe nëse zëri ynë nuk dëgjohet, atëherë ne duhet të mobilizohemi, në mënyrë të qetë të kërkojmë llogaridhënie dhe transparencë.”, - theksoi zëvendësambasadori i Konfederatës Zvicerane, Mihall Harari.

Pjesëmarrësit po ashtu konstatuan se partitë politike duhet të jenë të hapur për të rinjtë, me qëllim që të dëgjojnë sa më shumë ide dhe me pjesëmarrjet e të rinjve, demokracia i forcon themelet e saja. (Fitim Kryeziu, TVM2)