Maqedoni
Zjarri në Trubarevë, Filipçe: Duam llogari nga Qeveria
15.09.2025 16:16
Zbardhje të rastit me zjarrin në Trubarevë kërkojnë partitë opozitare...

Zbardhje të rastit me zjarrin në Trubarevë kërkojnë partitë opozitare. Për më tepër, Venko Filpçe thotë se nevojitet të japin dorëheqje ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Brendshëm.
“Duhet të bëhet analizë e detajuar në të gjitha institucionet, në të gjitha deponitë që punojnë në vend. Le të parandalohet një krizë e ardhshme. A kanë të gjitha licenca? A janë të gjitha në largësi të mjaftueshme prej vendeve të punës apo vendbanimeve? Ta shohim prej ku importohen mbeturinat në vendin tonë dhe ta dimë se çfarë po ndodhë? Çfarë ka bërë Qeveria për këtë çështje? Asgjë! Dhe, puna tjetër më konkretja në lidhje me ngjarjen në Trubarevë. Duhet të japë dorëheqje ministri i Shëndetësisë. I ka gënjyer qytetarët se ajri nuk është i ndotur! Si e ka dëshmuar këtë? Duhet përgjegjësi dhe dorëheqje të japë ministri i Brendshëm.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
VMRO: Filipçe të përgjigjet për modularet
Nga VMRO-DPMNE-ja i sugjerojnë Filipçes që kur të marrë guxim të flet për zjarret, të përgjigjet njëherë për spitalin modular.
“Para se të marrë guxim të flasë për çfarëdo çështje, Venko Filipçe është i obliguar që të sqarojë: pse për spitalin modular, në vend që Ministria për Vetëqeverisje Lokale ta realizojë procedurën, pikërisht ai personalisht e mori dhe e realizoi tenderin? Pse ministri i Lokales refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen dhe ta zbatojë procedurën që ia imponuan ai dhe Zoran Zaevi? Pse atëherë procedurën e mori dhe e shtyu pikërisht Filipçe? Derisa nuk jep përgjigje të qartë dhe të qëndrueshme për këtë çështje, Filipçe nuk ka asnjë kredibilitet të flasë. Kësi lloj pyetjesh për atë ka shumë dhe secila prej tyre zbulon fytyrën e vërtetë të neurokirurgut.”, përfundohet në kundërpërgjigjen e VMRO-së ndaj Filipçes.
BDI: Shkupi helmohet, mos të fshihen përgjegjësit
Përballje të Qeverisë me zjarret kërkon të përballet edhe BDI-ja.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për katastrofën ekologjike që goditi kryeqytetin pas shpërthimit të flakëve në Trubarevë, ndërkohë që ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, u tregua i padukshëm dhe i papërgjegjshëm përballë krizës. Në momentet kur Shkupi u mbulua nga re toksike, me erë plastike, goma e bateri të djegura, qytetarët prisnin informata, rekomandime dhe apel për mbrojtje. Por, Mexhiti nuk doli para opinionit, nuk mori masa, nuk ofroi zgjidhje. Për të, më e rëndësishme ishte të shfaqej në aktivitete partiake, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.”.
VLEN: Depos në Trubarevë i dha leje pune BDI-ja
Por, nga VLEN-i fajin e zjarrit e ndërlidhin me lejen për punë në depon e Trubarevës, sipas tyre, dhënë nga ish-ministri kuadër i BDI-së.
“Ministri i BDI-së, Naser Nuredini, dha lejen për depon e Trubarevës. BDI-ja është partia që dha lejen për punë në depon e mbeturinave elektronike në Trubarevë, një objekt për mbeturina që ndodhet në një vendbanim, menjëherë pranë qytetit të Shkupit. BDI-ja sot po përpiqet t’ua kalojë përgjegjësinë të tjerëve, por qytetarët e dinë se kjo parti është fajtorja kryesore për katastrofën ekologjike që po përjeton Shkupi dhe e gjithë Maqedonia e Veriut. BDI-ja menaxhoi ekologjinë në vend për 20 vjet. Gjatë këtyre dy dekadave, ata krijuan një deponi në qendër të Tetovës, një deponi në qendër të Kërçovës, një deponi menjëherë pranë Strugës.”.
Nëse Shkupi po mbytet në tym dhe helme sot, kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e sundimit të partisë së tyre dhe mosfunksionimit të institucioneve nën kontrollin e tyre, përfundojnë nga koalicioni VLEN.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
