Maqedoni
Banka Popullore, Sllaveski: Inflacioni në afat të mesëm në 2%
15.09.2025 17:07
Banka Popullore optimiste se do të vazhdojë trendi i uljes së inflacionit....

Banka Popullore optimiste se do të vazhdojë trendi i uljes së inflacionit. Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, deklaroi se inflacioni në periudhën e ardhshme do të jetë më i ulët se 3%, dhe se në afat të mesëm do të kthehemi në nivelin prej 2%.
“Pritjet tona janë që trendi i uljes së normës së inflacionit të vazhdojë. Sigurisht, kjo nuk varet vetëm nga instrumentet e Bankës Kombëtare, por edhe nga politika fiskale, e cila, për momentin, është në një farë mënyre brenda kornizës së stabilizimit të inflacionit. Ne presim që në periudhën në vijim të kemi një normë inflacioni më të ulët se 3%, dhe në afat të mesëm, brenda një periudhe dyvjeçare të kthehemi në nivelet historike që kemi pasur, pra në një normë inflacioni prej rreth 2%, si në eurozonë.”, - deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
Banka Popullore miratoi masat e reja ekonomike sipas shembullit të më shumë bankave qendrore. Nga dhjetori ulet pjesëmarrja për blerjen e banesës apo shtëpisë. Shuma e pjesëmarrjes do të jetë 10% nga çmimi total i patundshmërisë. Pjesëmarrje më të lartë 25% do të paguajnë qytetarët për banesën e blerë, e të cilën do ta japin me qira. Sllaveski rendit kushtet që duhet përmbushur.
“...As personi fizik, e as bashkëshorti apo bashkëshortja nuk shfrytëzojnë kredi tjetër në vend. Personi fizik do të jetojë në objektin e banimit, e cila blihet me kredinë banesore dhe bashkëshortët duhet të dëshmojnë se nuk kanë objekt banimi në territorin e Maqedonisë.”, - theksoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
Mospasja e pronësisë do të dëshmohet me vërtetim nga Agjencia për prona të patundshme. Sllaveski në të ardhmen pret stabilizim të çmimeve të patundshmërive.
MERAL ISMAILI
