Botë
Gaza në zjarr, thirrje për lirimin e pengjeve dhe fund të dhunës
15.09.2025 17:57
Nuk do të ketë paqe në Gazë pa eliminimin e Hamasit dhe lirimin e të gjitha pengjeve...

Nuk do të ketë paqe në Gazë pa eliminimin e Hamasit dhe lirimin e të gjitha pengjeve, deklaruan sekretari amerikan i Shtetit dhe kryeministri izraelit në një konferencë të përbashkët për shtyp në Jerusalem.
“Qëndrimi i presidentit për situatën aktuale në Gazë është i qartë, çdo peng, qoftë i gjallë apo i vdekur, duhet të kthehet menjëherë në shtëpi. Hamasi nuk mund të ekzistojë më si forcë e armatosur që kërcënon sigurinë dhe paqen – jo vetëm të Izraelit, por të gjithë botës. Presidenti mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj këtij qëllimi.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
“E vlerësojmë gjithë ndihmën që ju dhe presidenti Tramp na e jepni në këtë mision. E dimë që duhet ta mposhtim Hamasin dhe të sigurohemi që ata të mos e kthejnë më Gazën në një kërcënim për Izraelin. Prania juaj këtu është një mesazh i qartë se Amerika qëndron krah Izraelit në luftën kundër terrorit.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Netanjahu.
Kryeministri i Katarit me akuza ndaj Izraelit gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve arabe.
“Është koha që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë së zbatuari standarde të dyfishta dhe ta ndëshkojë Izraelin për të gjitha krimet që ka kryer.”, - u shpreh kryeministri i Katarit, Sheik Mohamed bin Abdulrahman al Thani.
Ndërkohë, Izraeli i ka intensifikuar sulmet ndaj veriut të Gazës, duke rrafshuar disa ndërtesa të larta.
Sipas vlerësimeve, deri më tani mbi 320.000 palestinezë janë evakuuar nga qyteti i Gazës në pjesë të tjera të Rripit dhe rreth 20.000 njerëz e kanë braktisur qytetin gjatë natës.
“Dy vjet uri, vrasje, bombardime, vuajtje... Situata është shumë e rëndë. Lutemi që lufta të përfundojë sa më shpejt.”, - tha një person i zhvendosur nga qyteti i Gazës.
“Burrave u janë amputuar gjymtyrët, gratë janë bërë të veja, dhe fëmijët tanë kanë mbetur jetimë. Jeta jonë është kthyer në ferr.”, - tha një person tjetër i zhvendosur nga qyteti i Gazës.
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të mbajë nesër një debat urgjent mbi agresionin e fundit ushtarak të Izraelit, pas sulmeve javën e kaluar ndaj caqeve në Doha, ku ishin të pranishëm udhëheqës të Hamasit.
