Maqedoni
Pas zjarrit në Trubarevë rritje e përqendrimeve të gazrave të dëmshëm
15.09.2025 19:56
Ditën e zjarrit në deponinë e mbetjeve në Trubarevë janë regjistruar përqendrime të larta të gazeve të dëmshme në atmosferë...

Ditën e zjarrit në deponinë e mbetjeve në Trubarevë janë regjistruar përqendrime të larta të gazeve të dëmshme në atmosferë, tregojnë analizat e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor. Vlerat kanë qenë dy deri në tre herë më të larta se zakonisht, veçanërisht për monoksidin e karbonit, dioksidin e karbonit dhe oksidet e azotit. Nga ana e saj, drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor deklaroi se matjet për metalet e rënda në tokë dhe në ujërat nëntokësore do të kryhen më vonë, pasi terreni ende po pastrohet.
“E gjithë zona duhet të pastrohet. Si Inspektorat, ne do të japim udhëzimet e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit, pasi deponia që ka mbetur aty duhet të zhvendoset dhe të presim rezultatet e analizave.”, u shpreh drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Ivana Ginovska.
Sipas ministrit të Mjedisit Jetësor, shteti po ndërmerr masa të plota për të mos lejuar që në të ardhmen të ndodhin aksidente të ngjashme. Ai njoftoi gjithashtu se do të intensifikohen kontrollet inspektuese edhe në Vardarishte dhe në deponinë Drisla.
“Kemi dhënë rekomandim për realizimin e kontrollit të deponive të paligjshme në komunat, si dhe kërkesë për zhvillimin e kontrolleve inspektuese mbi të gjitha deponitë dhe lokacionet e paregjistruara të mbetjeve.”, u shpreh ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti.
Drejtori i Drejtorisë për Mjedisin Jetësor, Igor Nikovski, tha se kompania ka pasur leje të ligjshme që nga viti 2021 për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Sipas tij, leja skadon në maj të vitit të ardhshëm. Ai shtoi se dokumentacioni i kompanisë tashmë i është dorëzuar policisë dhe prokurorisë për hetime të mëtejshme.
“Sipas lejes, subjekti ka të drejtë të depozitojë dhe të trajtojë deri në 20 tonë mbetje jo të rrezikshme në ditë dhe deri në 500 kilogramë mbetje të rrezikshme brenda 24 orëve.”, u shpreh drejtori i Drejtorisë për Mjedisin Jetësor, Igor Nikovski.
Në kompaninë në Trubarevë janë kryer tre kontrolle të rregullta inspektuese, gjatë të cilave nuk janë konstatuar parregullsi. Aktualisht në vend veprojnë rreth pesëdhjetë kompani që merren me trajtimin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme.
TVM2
