Botë
Gazë, ofensivë e ushtrisë izraelite
16.09.2025 14:05
Ushtria izraelite po realizon ofensivën tokësore në qytetin e Gazës....

Ushtria izraelite po realizon ofensivën tokësore në qytetin e Gazës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar se ushtria izraelite ka hyrë në një fazë vendimtare të operacionit ushtarak në qytetin e Gazës, duke theksuar se më shumë se 350 mijë banorë janë larguar tashmë nga qyteti, ndërsa evakuimi vazhdon. Netanjahu shtoi se rreth 40% e popullsisë së qytetit është evakuuar dhe se ofensiva ushtarake po zhvillohet me intensitet të lartë në zemër të zonës urbane. Sulme ka pasur edhe ndaj selisë së Hezbollahut në Libanin jugor. Netanjahu thotë se vendi i tij është nën rrethim nga disa shtete, përfshirë Kinën dhe Katarin, ndërsa sulmi në Doha kundër Hamasit ishte vendim i tij.
“Ky ishte një vendim që e morëm unë dhe krerët tanë më të lartë të sigurisë. Ne e zbatuam dhe marrim përgjegjësi të plotë për të, sepse besojmë se terroristëve nuk duhet t’u ofrohet strehë.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Hamasi ka vetëm disa ditë kohë për të pranuar një marrëveshje për armëpushim, ka paralajmëruar sekretari amerikan i shtetit, Rubio.
“Izraelitët nisën operacionin, prandaj mendojmë se kemi një periudhë shumë të shkurtër kohore në të cilën mund të arrihet një marrëveshje. Nuk kemi më muaj, ndoshta kemi ditë, e ndoshta edhe vetëm disa javë, prandaj ky është momenti vendimtar. Zgjedhja jonë numër një është që kjo të përfundojë përmes një zgjidhjeje të dakorduar.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Në Gazë mbahen 48 pengje, për të cilët besohet se 20 janë ende gjallë. Hamasi ka thënë se do t’i lirojë pengjet vetëm në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjes së Izraelit nga Gaza. Por, familjarët e pengjeve shprehen të shqetësuar për fatin e të afërmve të tyre, pas ofensivës izraelite në Gazë.
“Mbrëmë bombardimet mbi Gazën u intensifikuan. Të afërmit tanë në Gazë po bombardohen nga forcat izraelite të mbrojtjes me urdhër të kryeministrit. Ai po bën gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë marrëveshje dhe që të mos na i kthejë të dashurit tanë.”, - tha nëna e një pengu izraelit.
Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit Persik i bëri thirrje ShBA-së që të përdorin ndikimin e tyre mbi Izraelin. Në deklaratën përfundimtare kërkohet ndërprerje e menjëhershme e agresionit ndaj palestinezëve dhe vendosje sanksionesh për Tel Avivin. Ndërkohë në një raport të Kombeve të Bashkuara, Izraeli akuzohet për gjenocid në Gazë.
“Gjenocidi po ndodh në Gazë. Përgjegjësia për këto krime të tmerrshme u takon autoriteteve izraelite në nivelet më të larta, të cilat kanë orkestruar një fushatë gjenocidale për gati dy vjet.”, - u shpreh kryetarja e Komisionit Hetimor, Navi Pillaj.
Në dokument përmenden emra të zyrtarëve më të lartë të shtetit izraelit, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanjahu, për të cilët thuhet se kanë nxitur veprime gjenocidale. Izraeli e ka quajtur raportin “të njëanshëm dhe të rremë”, duke e refuzuar kategorikisht.
GYLTENE SINANI
