Shqipëria edhe një hap më afër BE-së

16.09.2025 14:47

Shqipëria çeli një tjetër grup-kapitull me Bashkimin Evropian...

Shqipëria çeli një tjetër grup-kapitull me Bashkimin Evropian, duke shënuar 5 grup-kapituj të hapur në vetëm 11 muaj, që kur hapi kapitujt themelorë tetorin e kaluar. Edi Rama u ul në konferencën e 6 ndërqeveritare në Bruksel, ku mori dritën jeshile për një nga kapitujt më të rëndësishëm “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”. Hapja në më pak se një vit e 28 kapitujve nga 35 gjithsej është një ritëm që përfiton përgëzime, tha komisionarja për Zgjerim, Marta Kos.

Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse. Ka mbetur edhe një grup-kapitull dhe s’kam dyshim që do ta bëjmë këtë gjë së shpejti. Ky rezultat është rrjedhojë e punës së autoriteteve shqiptare që kanë çuar para reformat. Vazhdoni kështu me këtë ritëm duke u siguruar që të përfshini Parlamentin dhe shoqërinë civile, sidomos për fusha kritike si reforma në drejtësi, pavarësia gjyqësore.”, - deklaroi komisionarja për Zgjerim në BE, Marta Kos.

Që Shqipëria po ecën në rrugën e duhur në procesin e integrimit evropian e theksoi  edhe Presidenca daneze e Unionit.

“Danimarka do të bëjë çmos për të çuar përpara zgjerimin, mbetet thelbësore që vendet kandidate të bëjnë realizime të reformave dhe të përmbushjes së kritereve të Kopenhagës. Shqipëri, vazhdoni më tej me punën e mirë.”, - theksoi ministrja e Çështjeve Evropiane në Danimarkë, Marie Bjerre.

Ndërsa kryeministri Rama është optimist se grup-kapitullin e fundit Shqipëria do të mund ta çelë brenda këtij viti.

“Pres me padurim të çelim grup-kapitullin e fundit para mbylljes së këtij viti. E dimë që ka sfida dhe duhen bërë përpjekje, por dimë që nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kjo është hera e parë për ne në histori që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi. Jemi martuar me detyrim me perandori të tjera në të shkuarën, kjo është një perandori, pjesë e së cilës duam të jemi.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

I fundit që ka mbetur pa hapur është grup-kapitulli i “Bujqësisë dhe kohezionit”, në pritje për të marrë dritën jeshile brenda vitit 2025. (Luljeta Ndoka, TVM2)