Maqedoni

Zjarr në lagjen Pintija, 20 makina të djegura, banorët - të shqetësuar

16.09.2025 15:00

Mbi 20 vetura të djegura është epilogu i zjarrit në lagjen Pintija në Shkup...

Mbi 20 vetura të djegura është epilogu i zjarrit tjetër që shpërtheu mëngjesin e sotëm në një servis makinash në lagjen Pintija në Shkup, ka njoftuar pronari i servisit. Sipas tij, dëmi arrin shumën e rreth 200 mijë eurosh. Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se zjarri është vënë qëllimisht nga një person i maskuar, ndërkohë që ekipet zjarrfikëse brenda dy orëve arritën ta fikin. Banorët e lagjes shprehen të shqetësuar për trendin e vënies së zjarreve kohëve të fundit në kryeqytet.
 
“Dikush t’ju zgjojë në orën 03:30 të mëngjesit dhe t’ju thotë se diçka po digjet, nuk është në rregull. Zjarri është vënë qëllimisht, shihet edhe në kamera. Një gjë e tillë duhet të ndërpritet, pasi që në këto rrugë jetojnë njerëz, ka fëmijë e gra, ka persona të moshuar që mezi lëvizin. Policia erdhi në mëngjes, na evakuoi që të mos e thithim ajrin nga tymi i zi që është i rrezikshëm. Zjarrfikësit dhe policia penguan përhapjen e zjarrit me pasoja edhe më të rënda.”, - tha  qytetari, Goran Stojanovski.
 
Zjarri në Trubarevë, Stefkovski: Zjarri është lokalizuar tërësisht
 
Ndërkohë, kryetari i komunës, Boban Stefkovski, njoftoi se është lokalizuar tërësisht zjarri në fabrikën për mbeturina elektronike dhe bateri në Trubarevë. Por, qytetarët mbetën të evakuuar dhe shkollat të mbyllura, me mësim online deri ditën e premte.
 
“Gjendja në Trubarevë me djegien e fabrikës për ruajtjen mbeturinave elektronike dhe baterive është vënë tërësisht nën kontroll. Për dy ditë funksionuam me përpjekje të madhe në koordinim me të gjitha institucionet kompetente dhe me kënaqësi mund të them se ai zjarr është lokalizuar tërësisht.”, - theksoi kryetari i komunës Gazi Babë, Boban Stefkovski.
 
Mickoski: Po futet frikë te qytetarët para zgjedhjeve
 
Kryeministri Hristijan Mickoski, njoftoi se janë identifikuar rreth njëzet persona për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara se qëndrojnë pas zjarreve. Konsideron se qendra të fuqisë përpiqen të fusin frikë, panik te qytetarët, para zgjedhjeve.
 
“E patë se sa hapur u vu zjarri dhe kjo është vetëm edhe një dëshmi për atë që e them gjatë gjithë kohës, se për fat të keq ka qendra të fuqisë që përpiqen të fusin frikë, panik te qytetarët para zgjedhjeve dhe përgjigjen e pyetjes se kujt i shkon për shtat kjo, besoj se me një analizë shumë të shkurtër mund ta nxirrni vetë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
LSDM: Deklaratat e Mickoskit pa fakte
 
Sa i përket qëndrimeve të kryeministrit se pas zjarreve të qëllimshme qëndrojnë qendra të fuqisë që përpiqen të fusin frikë, te qytetarët, para zgjedhjeve, nga LSDM-ja theksojnë se kryeministrin e përgënjeshtroi ministri i Punëve të Brendshme.
 
“Fjalët mund të shkaktojnë frikë, panik ose të ndikojnë në stabilitetin e shtetit. Është skajshmërisht e papërgjegjshme që një kryeministër t’i lejojë vetes të japë deklarata pa fakte dhe pa prova, vetëm me qëllimin e vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij politike. Kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk janë vetëm të paaftë, ata janë një rrezik. Rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, rrezik për institucionet që i kanë degraduar në zero dhe rrezik për shtetin në tërësi.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
Kryeministri Mickoski paralajmëroi ashpërsimin e dispozitave ligjore për qytetarët të cilët do të hedhin mbeturina në vende të papërcaktuara në më së paku pesë vjet burg, ndërsa ata të cilët në mënyrë të qëllimshme do të ndezin zjarre do të kualifikohen si vepër penale terrorizëm.
 
FLORIJE KAMBERI