Mungesa e librave shkollorë, Janevska: Do t’i sigurojmë përmes donacioneve
Një pjesë e nxënësve të shkollave fillore...

Një pjesë e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në vend po ndjekin javën e tretë të procesit edukativo - arsimor, me libra të dëmtuar, pa i pasur librat e reja në bankat e tyre shkollore.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, shprehet e vetëdijshme për këtë problem, ku sipas saj, paraqitet pothuajse nëpër të gjitha shkollat e vendit tonë. Premton se MASh-i po kërkon zgjidhje, duke i siguruar librat e reja, tashmë përmes donacioneve dhe transferimin e teksteve të reja shkollore në ato shkolla ku ato janë evidentuar si tepricë dhe duke i dërguar të njëjtat në shkollat ku kanë nevojë për ta. Janevska pranon se një nga arsyet për mungesën e librave qëndron edhe tek drejtuesit e shkollave që nuk i kanë dorëzuar raportet për gjendjen e librave dhe nuk kanë kërkuar në kohë libra të reja.
“Në këtë moment, ne po u dërgojmë shkresa shkollave për t’i precizuar dhe saktësuar rregulloret, ku në mënyrë decide do t’u thuhet qartë se çfarë, kur dhe në cilën periudhe duhet t’i bëjnë kërkesat, në mënyrë që të mos kemi probleme të tilla në të ardhmen. Për një pjesë të këtyre problemeve po kërkojmë zgjidhje, ku një pjesë e librave do të mund t’i kompensojmë, ndërsa për të ardhmen unë shpresoj se më nuk do të kemi probleme të tilla, sepse veç më është krijuar një sistem i qëndrueshëm për furnizimin e vazhdueshëm me libra nëpër shkolla. Tani po përpiqemi të sigurojmë donacione për një pjesë të librave kryesorë dhe besojmë se do të arrijmë, ndërsa po vazhdojmë të bëjmë shpërndarjen e librave të reja, ku në disa shkolla janë evidentuar si tepricë, t’i transferojmë nëpër shkollat tjera.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Përfundoi projekti “Ndërtojmë ura të reja”, Janevska: Njohja e diversitetit, pasuri vetanake
Këtë Janevska e tha pas ceremonisë përmbyllëse të projektit “Ndërtojmë ura të reja” në shkollën fillore “Zhivko Brajkovski” në Butel.
Ky projekt synon t’i tejkalojë paragjykimet mes të rinjve, respektivisht të bëjë arsimin e integruar dhe të përforcojë bashkëpunimin ndërkulturor mes të rinjve në shkollat fillore dhe të mesme, ku gjuha amtare e të cilëve është gjuha maqedonase, shqipe, boshnjake dhe turke, përmes aktiviteteve të përbashkëta mësimore dhe aktiviteteve jashtëmësimore, bashkërisht të ndërtojmë mirëkuptim të ndërsjellë dhe lidhje të qëndrueshme.
“Këta nxënës kishin aktivitete dhe orë të përbashkëta mësimore dhe sportive, kanë bërë njohjen e kulturave dhe traditave të tyre, ndërsa shkollat simotra vetë i përpilonin detajet e projekteve të tyre dhe në të morën pjesë një numër i madh i nxënësve me fe dhe etni të ndryshme, si dhe mësimdhënës të shumtë. Ky shtet është i përbashkët dhe bashkërisht duhet ta ndërtojmë, ndërsa projektet e tilla janë me rëndësi të madhe për vendin tonë.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Projekti “Ndërtojmë ura të reja” u zbatua për dy vite, u realizua në 30 shkolla dhe në të morën pjesë mbi 2.600 nxënës dhe qindra mësimdhënës.
Projekti në fjalë financiarisht u mbështet edhe nga OSBE-ja, ShBA-ja, Norvegjia, Polonia, Holanda dhe Luksenburgu, tha Janevska me këtë rast. (Rexhep Qamili, TVM2)
