Maqedoni
Zgjerimi i BE-së me vendet aspirante, Bjerre: Reformat dhe kushtet e Kopenhagës, kyçe
16.09.2025 16:06
Presidenca daneze do të bëjë gjithçka për të çuar përpara zgjerimin e BE-së...

Presidenca daneze do të bëjë gjithçka për të çuar përpara zgjerimin e BE-së, por thelbësore mbetet zbatimi i reformave dhe përmbushja e kushteve të Kopenhagës, tha ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Mari Bjerre, në suaza të takimit të Këshillit për Punë të Përgjithshme, duke folur për sundimin e ligjit, me theks të veçantë për kandidatët aspirantë.
“E fundit, por jo më pak e rëndësishme. Diskutohet edhe sundimi i së drejtës në katër vendet specifike kandidate: për Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Kjo dëshmon seriozitetin për politikën e zgjerimit, ku sundimi i ligjit është pjesë kryesore e zgjerimit.”, - deklaroi ministrja e Danimarkës për Eurointegrime, Mari Bjerre.
Raouna: Nga 1 janari Qiproja angazhohet seriozisht
Angazhim për avancimin e politikës së zgjerimit premton edhe pasardhësja e Presidencës me Unionin nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Situata gjeopolitike e dikton nevojën e zgjerimit të BE-së, tha zëvendësministrja e Qipros.
“Zgjerimi do të jetë prioritet për presidencën e Qipros. Zgjerimi është nevojë gjeopolitike, investim gjeopolitik dhe lidhet me riunifikimin e Evropës, duke zgjeruar hapësirën e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit. Si presidencë do të punojmë ta avancojmë procesin aderues për të gjithë partnerët tanë.”, - theksoi zëvendësministrja e Qipros për Eurointegrime, Marilena Raouna.
Siguria e BE-së, ministri finlandez: Duhet forcuar kufiri lindor i BE-së
Në takim u fol edhe për përforcimin e sigurisë të cilën e sfidon konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Duhet t’i bëjmë më shumë presion Rusisë. Atë që pamë në Poloni me dronë na përkujton faktin se duhet ta forcojmë kufirin lindor të BE-së. Për ne që vijmë nga Finlanda me kufi me Rusinë, e dimë çka do të thotë. Duhet t’i ruajmë kufijtë e BE-së.”, - u shpreh ministri i Finlandës për Eurointegrime, Joakim Strand.
Në takimin e sotëm në Këshillin për Punë të përgjithshme i pranishëm ishte edhe ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani. Në këtë kontekst, temë diskutimi kanë qenë katër fushat që lidhen me sundimin e ligjit, të përfshira në Raportin e KE-së për vitin 2025.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
