Botë

Sulme të ashpra ruse mbi Ukrainën, Zelenski i bën thirrje Trampit që të ndalojë Putinin

16.09.2025 16:57

Lufta në Ukrainë po përshkallëzohet me intensitet të madh....

Lufta në Ukrainë po përshkallëzohet me intensitet të madh. Sulmet më të fundit ajrore të forcave ruse mbi qytetet Zaporizhia dhe Kramatorsk kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur, mes tyre edhe fëmijë. Në Zaporizhia janë përfshirë nga zjarri ndërtesa banimi. Zelenski i bëri thirrje Trampit të marrë një qëndrim të qartë për ta ndalur Vladimir Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
 
“Para se ta përfundojmë luftën, me të vërtetë dua që të arrihen të gjitha marrëveshjet. Dua të kemi një dokument që do të mbështetet nga ShBA-ja dhe të gjithë partnerët evropianë. Që kjo të ndodhë, na duhet një qëndrim i qartë nga presidenti Tramp.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Pas lajmit se mbi ndërtesën e qeverisë polake është rrëzuar një dron rus, dy shtetas të Bjellorusisë të lidhur me incidentin janë arrestuar, ndërkohë Britania e Madhe do të vendosë avionë luftarakë, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë.
 
“Veprimet e Rusisë janë të pajustifikueshme dhe të rrezikshme. Britania e Madhe do të luajë një rol kyç në zmbrapsjen e agresionit rus dhe, nëse është e nevojshme, do të mbrojë hapësirën ajrore të NATO-s.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Xhon Hilli.
 
Rusia pretendon se Polonia nuk ka qenë objektiv i sulmit, por udhëheqësit evropianë janë të bindur se ndërhyrja ka qenë e qëllimshme. Sekretari i shtetit i ShBA-së njoftoi për një takim të mundshëm mes Trampit dhe Zelenskit javën e ardhshme në Nju Jork.
 
“Trampi është i vetmi lider në botë që ka kapacitet të bisedojë si me Ukrainën e Evropën, ashtu edhe me Rusinë. Presidenti amerikan do të vazhdojë përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje për konfliktin ukrainas.”, - u shpreh sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
 
Ndërkohë që kontaktet diplomatike mes Moskës dhe Uashingtonit vazhdojnë në nivele të ndryshme, vendet e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë vendosjen e një ndalese të plotë për hyrjen e turistëve dhe diplomatëve rusë, si pjesë e paketës së 19-të të sanksioneve. Megjithatë, miratimi i paketës së re të sanksioneve u shty.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI