Maqedoni

Kërçovë, këtë vit janë kthyer 6 nxënës nga diaspora

16.09.2025 17:52

Qerimi ndau lajmin e gëzueshëm se shkollës “Faik Konica” sivjet iu shtua edhe 1 nxënës nga diaspora...

Drejtoresha e shkollës fillore “Faik Konica” nga fshati Greshnicë, Florije Selimi-Qerimi ndau lajmin e gëzueshëm se shkollës “Faik Konica”, respektivisht shkollës periferike nga fshati Llapkidoll, sivjet iu shtua edhe 1 nxënës nga diaspora, i cili së bashku me prindërit është kthyer në vendlindje.
 
“Në shkollën periferike në Fshatin Llapkidoll kishim të regjistruar 2 nxënës, por fatmirësisht vlen për tu përshëndetur se një familje është kthyer nga SHBA-të, dhe atje tani janë tre nxënës për këtë vit shkollor. Numri përgjithshëm i nxënësve në shkollë është 135 nga klasa e parë deri në klasën e 9-të, përfshi edhe shkollat periferike.”, u shpreh drejtoreshë e Sh.F. “Faik Konica”, Florije Selimi-Qerimi.
 
Këtu duhet shtuar edhe 2 nxënësit nga fshati Llaxhe, që janë kthyer nga mërgimi, e të cilët mësimin e ndjekin në shkollën Sande Shterioski të qytetit të Kërçovës. Ndërkaq në shkollën fillore të fshatit Cërvicë që funksionon si shkollë periferike e shkollës qendrore Millto Gurra, janë regjistruar për ti ndjekur mësimet në vendlindje 3 nxënës. Pra sivjet në shkollat me mësim në gjuhën shqipe janë kthyer gjithsej 6 nxënës nga diaspora, fëmijë të mërgimtarëve tanë që janë kthyer në vendin e tyre të origjinës.   
 
SHABAN DALIPI