Rregullorja e KShZ-së për listat e kandidatëve shqyrtohet para Kushtetueses
Në seancën e sotme të Gjykatës Кushtetuese...

Në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese do të diskutohet për lëndën, ku është e kontestuar Rregullorja për rregullimin e procedurës për grumbullimin e nënshkrimeve për përkrahje të listave të kandidatëve, të parashtruara nga një grup votuesish dhe mënyra e përcaktimit të noterëve, për zgjedhjet lokale 2025, të miratuar më 17 gusht të këtij viti nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Parashtrues të iniciativës deri te Gjykata Kushtetuese janë Shoqata “Kongresi botëror maqedonas” nga Shkupi, të përfaqësuar nga kryetari Todor Petrov dhe Stevçe Stojanov.
Parashtruesi pohon se edhe pse afatet zgjedhore janë në vijim, KShZ-ja ka vepruar jashtë kompetencave të veta dhe me akt nënligjor ka përcaktuar kushte për realizimin e së drejtës zgjedhore të qytetarëve për të marrë pjesë në kryerjen e funksioneve publike.
Në iniciativën e parashtruar nga Stevçe Stojanov qëndron se me Rregulloren e kontestuar janë shkelur neni 8 paragrafi 1 alinea 3, nenet 51, 61 dhe 68 paragrafi 1 alinea 2 nga Kushtetuta.
Sipas asaj që qëndron në iniciativë, në pikën 4 të Rregullores, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur normë për përkrahje të listës së kandidatëve për anëtarë të këshillit, respektivisht listë të kandidatit për kryetar të komunës, të parashtruar nga “një grup votuesish”, e cila duhet të nënshkruhet nga të paktën dy votues dhe me këtë rregullim, KShZ-ja ka dalë jashtë kornizave ligjore dhe është vendosur në rol të ligjvënësit.
