Botë
Ofensiva më shkatërruese në Gazë, qindra të vrarë dhe të plagosur
17.09.2025 14:02
Eksplozione shkatërruese dhe re tymi i zi mbulojnë Gazën...

Eksplozione shkatërruese dhe re tymi i zi mbulojnë Gazën, ofensiva brutale izraelite vazhdon në zemër të qytetit. Mbi 50 objektiva janë shkatërruar gjatë natës, ndërsa mijëra palestinezë ikin me panik nga rrënojat që po u marrin jetën. Numri i viktimave dhe të plagosurve po rritet në mënyrë alarmante dhe spitalet janë të mbingarkuara, mjekët luftojnë për të shpëtuar jetën e të plagosurve në kushte tmerrësisht të këqija.
“Fluksi i pacientëve dhe të plagosurve në spitalin “Al-Shifa” po rritet vazhdimisht, numri i të plagosurve dhe të vrarëve është jashtëzakonisht i lartë. Nuk ka shtretër të mjaftueshëm për pacientët dhe jemi të detyruar t’i trajtojmë ata në dysheme.”, - theksoi mjeku i emergjencës në spitalin “Al-Shifa”, Ismail Ramadan.
“Jam plagosur rëndë në këmbë. Kam qëndruar i pafuqishëm në tokë për një orë të tërë, duke u lutur për ndihmë. Jam shumë i lodhur nga kjo, ju betohem. Askush nuk vjen të na shpëtojë. Na ndihmoni neve dhe na shpëtoni nga ky tmerr.”, - tha një i plagosur.
Ushtria izraelite vazhdon të përsërisë narrativin se qëllimi i ofensivës është goditja e Hamasit, i cili sipas tyre ndodhet në zemër të qytetit të Gazës dhe përdor civilët si mburojë njerëzore, duke i penguar të evakuohen.
“Do të duhen disa muaj për të marrë kontrollin e plotë mbi qytetin, i cili është qendra e fuqisë ushtarake dhe politike të Hamasit, fortesa e tyre kryesore. Ata e kthyen qytetin në mburojën më të madhe njerëzore në histori. Civilët mbahen dhe u ndalohet me forcë evakuimi. Vazhdimisht inkurajojmë civilët që të largohen nga zonat e konfliktit në Gazë për të arritur në vende më të sigurta.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Efi Defrin.
Netanjahu i ka dërguar një paralajmërim Hamasit se do të ketë pasoja serioze nëse i dëmton pengjet gjatë ofensivës. Ai njoftoi se ka marrë ftesë nga presidenti amerikan Tramp për takim në Shtëpinë e Bardhë më 29 shtator, tri ditë pas fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Nëse u mungon qoftë edhe një fije floku në kokë pengjeve tona, do t’i ndjekim edhe më ashpër, deri në fund të jetës së tyre. Nuk do të keni strehë, përpjekjet tona do të dyfishohen dhe do të arrijmë tek ju më shpejt sesa mendoni.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Paralajmërim ndaj Hamasit erdhi edhe nga Trampi, që Hamasi të mos përdorë pengjet si mburojë njerëzore.
“Kam dëgjuar që Hamasi po përpiqet të përdorë një marrëveshje të vjetër për mburojë njerëzore. Nëse e bëjnë këtë, do të jenë në telashe të mëdha.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, Katari akuzoi Netanjahun se refuzon paqen dhe procesin e ndërmjetësimit me Hamasin.
“Nëse Netanjahu donte paqe, do ta kishte gjetur rrugën prej kohësh. Por, ai vendosi të mos e ndjekë dhe u përpoq të ndërmjetësojë me qëllime të këqija.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.
Në të njëjtën kohë, OKB-ja paralajmëron se mbi 26 mijë fëmijë në Gazë kanë nevojë për trajtim, për shkak të mungesës së ushqimit akut. Komisioni Evropian njoftoi një paketë të re sanksionesh kundër Izraelit. Në Izrael familjet e pengjeve dolën sërish në protesta para rezidencës së Netanjahut në Jerusalem, duke kërkuar një marrëveshje për pengjet. Policia në Tel Aviv përdori forcë për të shpërndarë protestuesit që bllokuan rrugët duke kërkuar ndalimin urgjent të luftimeve në Gazë.
FARIJE DAUTI BAKIU
