Rajon

NATO, Rute: Shqipëria, një aleate e palëkundur

17.09.2025 14:14

Kryeministri Rama u prit këtë të mërkurë në selinë qendrore të NATO-s nga sekretari i Përgjithshëm i Aleancës...

Kryeministri Rama u prit këtë të mërkurë në selinë qendrore të NATO-s nga sekretari i Përgjithshëm i Aleancës. Mark Rute e quajti Shqipërinë një aleate të palëkundur dhe bashkë me Ramën folën për planin e Tiranës për rrjetëzimin e industrisë ushtarake.
 
“Shqipëria po zhvillon bazën e saj industriale, përfshi edhe përmes ndërmarrjeve të veta shtetërore, çka është e rëndësishme, sepse na duhet një bazë më e fortë industriale në mbarë NATO-n.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
 
Rama: Po rinisim rilindjen e industrisë
 
“Duam të bëjmë më shumë. Tashmë po rinisim rilindjen e industrisë sonë, jemi shumë të prirë të diskutojmë me ju punën e mëtejshme që duhet bërë për të bërë të mundur portin e ri ushtarak në Shqipëri në Porto-Romano dhe sigurisht jemi këtu edhe për të folur së bashku për mënyrat me të cilat mund të qasemi në programin "Safe" të BE-së, i cili sa i takon sigurisë, shkon përtej perimetrit të vendeve të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm dhe për vendet e NATO-s në Evropë.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në deklaratën e shkurtër për shtyp, Rute lavdëroi rolin e Shqipërisë në ndihmë të Ukrainës apo në misionet në Letoni, Bullgari e Kosovë.
 
“Në fakt, ju jeni shumë i gjatë, megjithatë Shqipëria nuk është aleati më i madh yni dhe Shqipëria po bën shumë. Dua të falënderoj shumë që jeni aleat kaq i patundur. Ju e dini që NATO-ja mund të mbështetet tek Shqipëria dhe ju e dini që gjithmonë Shqipëria mund të mbështetet tek NATO-ja.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
 
Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë dy ditore në Bruksel, ndërsa të martën Shqipëria mori zyrtarisht "dritën jeshile" për një tjetër grup-kapitull, atë të "Agjendës së gjelbër dhe ndërlidhjes së qëndrueshme".
 
LULJETA NDOKA