Maqedoni
Beteja me zjarret vazhdon - 4 zjarre aktive
17.09.2025 14:33
Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend...

Ende nuk janë shuar të gjitha zjarret në vend. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve vazhdojnë betejën me stuhitë e zjarreve që ditëve të fundit në të gjithë territorin e vendit papritmas po shpërthejnë. Katër zjarre aktive në gjithsej katër komuna të ndryshme rezultojnë të jenë aktive ditën e mërkurë. Mëngjesin e sotëm përsëri është aktivizuar zjarri në Nikushtak në komunën e Likovës, ndërsa zjarre dhe tym ka edhe në Vinçe në komunën e Gazi Babës, në Gjevgjeli, si dhe në fshatin Vërzhallë në komunën e Studeniçanit.
“Momentalisht në territorin e vendit kemi katër zjarre aktive, në komunën e Gazi Babës, fshatin Vinçe, në komunën e Gjevgjelisë, komunën e Likovës dhe Zelenikovë, respektivisht në fshatin Vërzhallë. Ekipet po intervenojnë në terren. Në mëngjes filloi shuarja e këtyre zjarreve nga ajri, mirëpo për shkak të frymës as air-traktorët e DMSh-së e as helikopterët e MPB-së nuk mundeshin t’i shuajnë. Presim që të qetësohet moti dhe të aktivizojmë përsëri ndihma nga ajri.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Muhamet Ali.
“Ndodhem te zjarri mbi fshatin Vinçe i cili prej dje është aktiv. Ky zjarr mesa duket është shkaktuar qëllimisht, për fat të keq ekipet tona të ndërmarrjes së bashku me ekipet tjera po veprojnë për ta shuar. Sot këtu në terren vepron edhe helikopteri i MPB-së dhe traktorët ajror të DMSh-së të cilët vazhdimisht po hedhin sasi të ujit mbi zjarrin, por për shkak të erërave të fuqishme dhe motit të keq, ndihma nga ajri nuk mund të vazhdojë, por këmbësoria është duke vepruar.”, - theksoi zëvendësdrejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Kire Mihailov.
Brenda 24 orëve të fundit, autoritetet e vendit tonë kanë arritur të shuajnë gjithsej 20 zjarre në ambiente të hapura. Nga QMK-ja informojnë se nën kontroll të tërësishëm janë po ashtu edhe zjarret në fshatin Trubarevë dhe Vardarishte.
Mickoski: Situata me zjarret është nën kontroll
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se po punohet në normalizimin e situatës me zjarret.
“Sa i përket zjarreve në Trubarevë dhe Vardarishte janë nën kontroll. Mëngjesin e sotëm i pranova rezultatet e fundit nga IShP-ja, ku të gjitha parametrat janë brenda indekseve të lejuara, kështu që kjo çështje është e mbyllur. Deponia “Drislla” është drejt përfundimit, sot vazhdon mbulimi i gropave të shkaktuara nga zjarri, sot pritet të përfundojë mbulimi, edhe pse që të hënën më shumë se 90% u përfundua. Pra, situata me zjarret është nën kontroll.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në ndërkohë Prokuroria Themelore Publike ka filluar procedurë parahetimore për zjarrin që shpërtheu një ditë më herët në një servis makinash në lagjen “Pintija’ në komunën e Kisella Vodës, ku në videon e publikuar shihet se zjarrin e shkakton një person. Mickoski ditë më herët u shpreh i shqetësuar për gjendjen me zjarret, hodhi dyshime se ato nuk janë të rastësishme, andaj VMRO-DPMNE -ja do iniciojë ndryshime urgjente të dispozitave aktuale ligjore, ku zjarrvënia do të konsiderohet si vepër terroriste, ndërsa për hedhjen e mbeturinave do të ketë dënime me burgim deri në pesë vite, tha Mickoski.
REXHEP QAMILI
