Maqedoni
Peshevska pranoi fajin, më 22 shtator shpallet aktgjykimi
17.09.2025 14:47
Gjykata Themelore Penale - Shkup do të shpallë më 22 shtator vendimin për onkologen Meri Peshevska, e cila ka pranuar fajin...

Gjykata Themelore Penale - Shkup do të shpallë më 22 shtator vendimin për onkologen Meri Peshevska, e cila ka pranuar fajin. Peshevska së bashku me ish-drejtorin e Klinikës për Onkologji, Nikola Vasev, dhe dy onkologë të tjerë, akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Për veprën penale që i vihet në barrë Peshevskës, ligji parashikon dënim me burg deri në tre vjet. Prokurorja Ana Gogovska Jakimovska në fjalën përmbyllëse theksoi se e akuzuara ka shfaqur pendim të sinqertë dhe ka pasur sjellje shembullore gjatë gjithë procedurës, por ekzistojnë rrethana rënduese.
“Rezultati i veprimeve të saj ishte dëmtimi i shëndetit te shtatë pacientë. Si onkologe, ajo kishte detyrimin e shtuar për kujdes dhe qasja e paautorizuar dhe përdorimi i faksimilit ishte i vazhdueshëm. Duke marrë parasysh këto rrethana dhe pranimin e fajit, Prokuroria propozon që të shpallet fajtore dhe të ndëshkohet sipas ligjit.”, - tha prokurorja Ana Jakimovska.
Avokati i Peshevskës, Vllatko Kitanovski, argumentoi se edhe pse klientja e tij pranoi fajin për neglizhencë, nuk duhet të shihet si kriminale.
“Ajo ka ndarë të dhënat personale dhe faksimilin me kolegët pa qëllim për përfitim, por për të ndihmuar pacientët. Ata që i kanë keqpërdorur duhet të përgjigjen për këtë. Nuk mund ta dënojmë për një moment neglizhence kur e gjithë karriera e saj ka qenë në shërbim të pacientëve dhe shpëtimit të jetëve.”, - deklaroi avokati, Vllatko Kitanovski.
Ai para gjykatës paraqiti prova që tregojnë rrethanat lehtësuese, përfshirë: punësim në Klinikë që nga viti 2002, emërim për drejtuese në 2025, mungesë ankesash në karrierën e saj, fakti që është nënë e dy fëmijëve, certifikata nga kongrese dhe trajnime, si dhe mirënjohje nga vendi dhe jashtë tij. Peshevska nuk ka ndonjë ndalim për ushtrimin e profesionit dhe nuk është dënuar më parë. E akuzuara deklaroi para gjykatës se i ka kushtuar gjithë jetën pacientëve dhe ka punuar në Klinikën e Onkologjisë që nga viti 2002, duke u bërë specialiste onkologe në vitin 2007.
VLORA LATIFI TOPOJANI
