Maqedoni

Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore, Mickoski: Disa tregtarë po ndiqen institucionalisht

17.09.2025 15:20

Tregtarët e produkteve bujqësore, nën hetimin e institucioneve....

Tregtarët e produkteve bujqësore, nën hetimin e institucioneve. Shkak janë marzhat e larta të vendosura për prodhimet e blera nga bujqit, kryesisht perime, por pa përjashtuar frutat e stinës. Për pasojë të rritjes së marzhës, produktet përfundojnë tek konsumatorët me çmim të dyfishuar. Për kryeministrin Hristijan Mickoski marzhat janë tejet të larta dhe alogjike. Andaj inspektorët e tregut disa tregtarë i kanë vënë para drejtësisë.
 
“Disa tregtarë si shumë po vënë marzhë, e cila sipas meje është alogjike. Por, dua të theksoj se çmimet me të cilat bujqit i shesin prodhimet e tyre janë historikisht më të larta, si për specat, gjithashtu për lakrat, domatet, trangujt, qepën dhe prodhimet e tjera, sikurse edhe për rrushin. Çmimet janë historikisht më të larta. Ne po e ndjekim sjelljen e tregtarëve dhe sa jam i informuar për një pjesë prej tyre, ka procedura të caktuara para institucioneve. Tani vetëm se duhet të hyjnë në fazë përfundimtare.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Kryeministri thotë se bujqit për dallim nga vitet e shkuara janë mirë të trajtuar. Shpenzimet për krijimin e produktit bujqësor janë rritur në mbi 2%, por është rritur edhe çmimi për të cilin bujqit ia shesin produktin tregtarëve, në mbi 12%. Kryeministri shton optimizmin për ulje të çmimeve pas të dhënave të muajit gusht krahasuar me korrikun. Ulja është vetëm minus 0.7%, e ndodhur pas disa viteve. Megjithatë dallimi minimal pritet të vijojë muajt në vazhdim.
 
MERAL ISMAILI