Maqedoni
Reagime politike, BDI: VLEN, vegël e Mickoskit
17.09.2025 15:46
Vazhdojnë përplasjet politike mes partive, kryesisht të fokusuara te zgjedhjet lokale....

Vazhdojnë përplasjet politike mes partive, kryesisht të fokusuara te zgjedhjet lokale. Mickoski po hyn në fushatën e 19 tetorit i zhytur në panik, vlerësojnë nga BDI, duke theksuar se deklaratat e tij për aleanca imagjinare janë dëshmi se planet antishqiptare kanë marrë fund, ndërsa projekti i tij VLEN po shkon drejt kolapsit. Nga kjo parti thonë se plani i Mickoskit është i qartë, rikthimi i botës serbe në Maqedoni, ndërsa akuzojnë VLEN-in se është pjesë e këtij projekti.
“Fatkeqësisht në këtë lojë të tij, VLEN-i ka pranuar të bëhet vegël, madje një vegël e vogël e Mickoskit. Me këtë rol vasali, ata po përgatisin terrenin për rikthimin e “botës serbe” përmes VMRO-së. Por, le ta dinë: me vasalë nuk ndërtohet as stabilitet, e aq më pak ndërtohet shtet.”, - deklaroi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.
VLEN: BDI në marrëveshje me partinë e Majta
Nga ana tjetër, VLEN-i akuzon BDI-në për marrëveshje të fshehta me partinë e Majta në Strugë. Sipas VLEN-it, skenari është i qartë: Mojsovska do të kandidojë në Strugë si një “kandidate surprizë”, me mision të mbledhë votat e bllokut maqedonas, për të penguar fitoren që në rrethin e parë të kandidatit të pavarur të përkrahur nga pushteti, Mendi Qyra.
“Ky është një plan i turpshëm, i orkestruar nga Lloga dhe BDI-ja, që bashkëpunojnë hapur me forca politike që e kanë ngritur karrierën e tyre mbi albanofobi. Kjo është prova më e fortë se BDI-ja është e gatshme të shkelë mbi çdo gjë vetëm e vetëm për të mbetur relevante në skenë.”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
E Majta: VMRO fshiu Tetovën, Gostivarin, Strugën
Ndërkohë, partia e Majta akuzon VMRO-DPMNE-në për shitje të interesave kombëtare maqedonase.
“Kryeministër i një shteti, nga VMRO-DPMNE-ja “patriotike“, si papagall përsërit se kandidati maqedonas nuk mund të fitojë në Tetovë, Gostivar dhe Strugë. Kryeministër, kur i fshitë këto qytete nga harta e Maqedonisë?”, theksojnë nga e Majta.
VMRO: E Majta është zhveshur nga propaganda
VMRO-DPMNE përgjigjet me kundërakuza. Nga pallati i bardhë thonë se e Majta është demaskuar nga propaganda.
“Apasiev, nga një parti e Majtë dhe punëtore, e shndërroi të Majtën në një parti elitiste me të cilën shkel mbi anëtarët e vet. Provë për këtë është blerja e pasurive të patundshme të konfiskuara në qendër të qytetit, për një çmim prej 250 mijë eurosh, shumë më i ulët se ai real.”, - theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Përplasjet e tilla vazhdojnë të bëhen më të ashpra me afrimin e fushatës zgjedhore, e cila duhet të fillojë më 29 shtator.
ERSAN PAJAZITI
