Maqedoni
Lista e zezë amerikane, pritet zgjerimi i listës me emra të korruptuar
17.09.2025 16:33
ShBA-ja mund të zgjerojë listën e zezë me emra të dyshuar për korrupsion e që shfrytëzojnë pushtetin për të mos dhënë llogari para opinionit...

Në prag të zgjedhjeve lokale, ShBA-ja mund të zgjerojë listën e zezë me emra të dyshuar për korrupsion e që shfrytëzojnë pushtetin për të mos dhënë llogari para opinionit dhe para drejtësisë. Spekulimet nëpër rrjetet sociale dhe në media kanë marrë një përgjigje nga Ambasada Amerikane në Shkup.
Sipas portalit Lideri.mk, në përgjigjen e ambasadës nuk përmenden emra ose afate të caktuara kohore, por vërehet qartë se çështja e “listës së zezë” nuk është proces i mbyllur dhe nuk mohohet mundësia që ajo të zgjerohet në vijim.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë prej kohësh se korrupsioni minon demokracinë, dobëson sigurinë dhe pengon rritjen ekonomike. Përderisa nuk komentojmë për individë ose afate kohore specifike, procesi i shqyrtimit dhe adresimit të shqetësimeve kriminale transnacionale është aktiv dhe i vazhdueshëm. Asnjë aktor i korruptuar nuk duhet të marrë imunitet nga llogaridhënia. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjithë qeverinë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të forcuar transparencën dhe për të luftuar kriminalitetin.”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Shkup.
