Maqedoni

Gjykata Kushtetuese: Rregullorja e KShZ-së ka bazë kushtetuese

17.09.2025 16:50

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë iniciativën e Kongresit Botëror Maqedonas të Todor Petrovit...

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë iniciativën e Kongresit Botëror Maqedonas të Todor Petrovit, i cili kundërshtoi vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për të lejuar iniciativat qytetare të marrin pjesë në zgjedhje me dy nënshkrime të mbledhura. Mos inicimi i procedurës nënkupton që nuk do të shqyrtohet kushtetueshmëria dhe Ligjshmëria e Rregullores gjegjësisht, se e njëjta është në pajtueshmëri me aktet më të larta juridike, Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
 
“Do të ishte një shkelje e madhe dhe shumë e rëndë e Kushtetutës dhe mosrespektim i vendimit tonë nëse KShZ-ja nuk do të vepronte në këtë mënyrë. Paramendoni që kandidatët e pavarur të mos kenë të drejtë dhe kritere përmes së cilave do të merrnin pjesë në procesin zgjedhor. Kjo do të nënkuptonte shkelje brutale të vendimit tonë, Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Për këtë arsye shumica e gjykatësve vendosën që të mos fillohet procedurë. Vlerësimi ynë juridik është se Rregullorja e KShZ-së ka bazë Kushtetuese dhe ligjore, si dhe respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinoski.
 
Gjykatësja raportuese e lëndës theksoi se në kontekst më të gjerë është më mirë të mos hapet lëndë, sepse jemi në proces zgjedhor dhe çdo ndryshim do të ketë pasoja të caktuara juridike. Ndërkohë, për gjykatësen Dobrilla Kacarska, akti është në kundërshtim me ligjin, pasi që nuk është publikuar në gazetën zyrtare.
 
Rregullorja për nënshkrimet e kandidatëve të pavarur u propozua nga anëtari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski, duke iu referuar nenit 63 të Kodit Zgjedhor, i cili, nuk është i shfuqizuar dhe rregullon procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për emërimin e kandidatëve. Rregullorja u miratua më 17 gusht të këtij viti.
 
FLORIJE KAMBERI