Botë
Hagë, Villiams nis dëshminë me ftesë të mbrojtjes
17.09.2025 17:17
Pas përfundimit të dëshmisë së ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Xhejms Rubin...

Pas përfundimit të dëshmisë së ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Xhejms Rubin, në Gjykatën e Hagës ka filluar dëshminë juristi i së drejtës ndërkombëtare, Paul Villiams. Ai është dëshmitar i thirrur i mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Gjatë periudhës së luftës, Villiams ka qenë i angazhuar si këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në proceset e Rambujesë. Gjatë dëshmisë së tij, juristi Paul Villiams ka treguar në detaje se si ishte bërë pjesë e delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, u tha se dëshmitari Paul Villiams ishte këshilltar ligjor pa pagesë për delegacionin shqiptar në Rambuje.
Paul Villiams duke folur para Gjykatës Speciale në Hagë për mbështetjen që delegacioni kosovar i ka dhënë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë gjatë bisedimeve në Rambuje, pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së.
