Maqedoni
Kriza politike-ndikimi në ekonomi, odat ekonomike me masa për stabilitet ekonomik
21.05.2015 13:42
Vazhdimi i krizës politike do të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, e sidomos në investimet e huaja...

Vazhdimi i krizës politike do të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, e sidomos në investimet e huaja, si dhe në sektorin e turizmit dhe zvogëlimin e mundshëm të numrit të turistëve.
Kriza do të ndikojë negativisht edhe në zvogëlimin e ardhjes së mërgimtarëve në vendin tonë, të cilët janë stimul i veçantë për rritjen e konsumit në Maqedoni, konstatojnë përfaqësues të odave ekonomike.
“Pasojat e gjithë kësaj do t’i bartim ne si kompani, qytetarët, të gjitha subjektet afariste dhe kategoritë sociale, ndërsa qeveria këtë do ta ndjejë pasi që arka shtetërore do të jetë veçse e zbrazur, indikacione të cilat tashmë dhe kanë filluar të ndjehen. Në kuadër të kësaj, ne si oda ekonomike që përfaqësojmë interesin e komunitetit të biznesit, vlerësojmë se vazhdimi i krizës politiko-ekonomike do t’i zbeh mundësitë tona për të evituar rreziqet, për të mbrojtur Maqedoninë nga bankrotimi dhe skenaret e paqarta për dalje nga kriza, e cila aq më shumë bëhet edhe shoqërore”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi.
Për këtë arsye, odat ekonomike janë duke përgatitur masa konkrete për stabilitet ekonomik dhe të njëjtat do t’i propozohen qeverisë në afat të shkurtër kohor.
“Në vazhdime do të kemi harmonizimin e masave konkrete, me të cilat do të njoftohen subjektet relevante mbi të cilët bie përgjegjësia aktualisht në vendin tonë dhe kjo është sigurisht qeveria, ku do të kemi masa rreth stabilizimit të saj, e kjo nënkupton të kemi fillimisht në planin makroekonomik stabilitet që jorastësisht përmenden edhe depozitat e qytetarëve tanë të cilët janë jashtë vendit, që në masë të madhe ndikojnë në stabilitetin makroekonomik dhe në stabilitetin financiar në vend, por duke marrë masa konkrete edhe që mos të vijë deri tek derdhja e mjeteve të përnjëhershme të kompanive të ndryshme për arsye të ndryshme”- tha kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi.
Përfaqësuesit e odave ekonomike shprehen të shqetësuar për këtë situatë dhe vlerësojnë se urgjentisht duhet të punohet në drejtim për të pasur stabilitet ekonomik, ndërsa theksuan se propozim-masat për dalje nga kriza politiko-ekonomike para se të publikohen do të jenë të miratuar nga organet drejtuese të secilës prej odave ekonomike.
ERSAN PAJAZITI
