Maqedoni

Zaev: dalja e BDI-së nga qeveria nuk është zgjidhje

21.05.2015 13:49

Bisedimet për krizën në Maqedoni “në të vërtetë nuk kanë filluar”, vlerëson lideri i opozitës, Zoran Zaev, për mediat maqedonase pas kthimit nga Strasburgu...

Sipas tij, e vetmja arritje e bisedës 10 orëshe është ricaktimi i takimit të radhës më 26 maj në parlament, por nuk ka ndonjë përparim tjetër pos vendimit se duhet të vazhdohet me bisedime.
 
Zaev kërkon dorëheqjen e Gruevskit, të cilin e akuzon se ka abuzuar me pushtetin dhe kërkon krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, në intervistën për “Capital” Zaev thekson se nuk është momenti i duhur që BDI të largohet nga qeveria. 
 
“Mendoj se për momentin nuk është zgjidhje që BDI-ja ta lëshojë qeverinë. Partia tjetër shqiptare, PDSh, është gjithashtu partner i qeverisë. E di që secili e mban dikë me diçka, në një mënyrë, me kërcënime ose të ngjashme, por nga ajo që e kam si informacion, e di që Ali Ahmeti nuk është i varur nga Gruevski dhe nuk frikësohet nga ai. Kështu që, edhe pse edhe nga BDI ka njerëz të involvuar në vepra jashtëligjore, të cilat do të publikohen, megjithatë ata janë reprezent të etnisë së dytë më të madhe dhe sigurisht që kjo do të ndikojë në të ardhmen. Ata mund të ndihmojnë me deklarata, me qëndrime, dalje në opinion etj”- ka deklaruar Zaev për “Capital”.
 
Qëndrimi i Zaevit është i njëjtë me qëndrimin e  analistit amerikan, Daniel Serwer, i cili vlerëson se “edhe nëse BDI do të largohej nga qeveria, Gruevski përsëri do të kishte shumicën. Pa marrë parasysh se sa nuk janë të lumtur me situatën politike, shumica e liderëve do të përpiqen që të përfitojnë, jo të humbasin”- deklaroi Server  këtë javë.
 
GYLTENE SINANI