Botë

Aleatët e NATO-s furnizojnë Ukrainën me raketa, Zelenski: Lufta mund të zgjasë, paratë nuk mjaftojnë

18.09.2025 14:41

Seri bombardimesh mbi Kiev...

Seri bombardimesh mbi Kiev. Rusia përsëri ka goditur infrastrukturën hekurudhore në Ukrainë. Ndërkohë që Rusia vazhdon sulmet intensive, Ukraina kundërpërgjigjet me goditje të fuqishme në qytetin rus të Rostovit. Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur Kievi pranon më shumë se 2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë sisteme raketore “Patriot” dhe “HIMARS”, të financuara nga aleatët e NATO-s. Presidenti ukrainas, Volodmir Zelenski, bëri të ditur se nëse lufta vazhdon edhe vitin e ardhshëm, Ukraina do të jetë në gjendje të mbulojë vetëm gjysmën e kostove të nevojshme për mbrojtje, që kapin vlerën e 120 miliardë dollarëve në vit. 
 
“Nëse Rusia nuk ndjen dhimbje, ajo vazhdon të luftojë. Ajo duhet të përjetojë humbje më të mëdha si ekonomike, politike dhe të tjera, në mënyrë që të mund t’i afrohemi paqes. Deri tani kemi marrë mbi dy miliardë dollarë ndihmë nga partnerët tanë. Në tetor presim të marrim edhe rreth 3.5 miliardë dollarë të tjerë. Dy paketat e para do të jenë nga 500 milionë dollarë secila. Nuk mund t’i zbuloj të gjitha detajet, por ato do të përfshijnë raketa për sistemet “Patriot” dhe “Himars”.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, theksoi nevojën për ta mbështetur më shumë Ukrainën dhe paralajmëroi sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë uljen e varësisë nga energjia ruse dhe kufizime ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije”.
 
“Së bashku mund t’u dëshmojmë rusëve se veprimet e tyre nuk do të mbeten pa përgjigje. Bashkë do ta bëjmë këtë për t’i penguar dhe për të siguruar paqen.”, - theksoi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
 
Mbështetjen për Ukrainën e theksoi edhe mbreti Çarls III i Britanisë së Madhe gjatë një vizite shtetërore së bashku me presidentin amerikan, Donald Tramp, ku theksoi aleancën e përbashkët në përballjen me tiraninë.
 
“Ndërsa tirania kërcënon sërish Evropën, ne dhe aleatët tanë jemi të bashkuar në mbështetjen për Ukrainën, për të mbrojtur veten nga agresioni dhe për të siguruar paqen.”, - u shpreh Mbreti Çarls III i Britanisë së Madhe.
 
Ndërkohë, kancelari gjerman Merz paralajmëroi Evropën që të mos i lejojë Rusisë të vendosë kushtet për një marrëveshje paqeje me Ukrainën, duke theksuar se një veprim i tillë do ta inkurajonte Putinin të kërkojë objektiva të tjera në të ardhmen. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Kievin dhe aleatët perëndimorë se po përpiqen të bindin Trampin të heqë dorë nga përpjekjet për paqe në Ukrainë, duke theksuar se nuk ka vend për Evropën në tryezën e bisedimeve.
 
“Evropa, në mënyrë të paskrupullt, po përpiqet të sigurojë një vend në tryezën e negociatave. Megjithatë, nga pozicioni i saj i hakmarrjes dhe synimeve për ta mposhtur strategjikisht Rusinë, ajo sigurisht që nuk ka vend në ato bisedime.”, - deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
 
Në të njëjtën kohë, Polonia ka nisur stërvitjen më të madhe ushtarake të saj të quajtur “Mbrojtësi i Hekurt”, si përgjigje ndaj manovrës ruse “Perëndimi 2025” të mbajtur në Bjellorusi. Ndërkohë, Danimarka po përshpejton procesin e armatosjes me armë me rreze të gjatë veprimi, duke theksuar se Rusia do të vazhdojë të jetë një kërcënim për një kohë të gjatë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU