Reagime politike, BDI: Kandidatët e VLEN-it janë të VMRO-së

18.09.2025 15:26

Në prag të zgjedhjeve lokale vazhdojnë përplasjet politike...

Në prag të zgjedhjeve lokale vazhdojnë përplasjet politike mes AKI-së dhe VLEN-it, të fokusuara kryesisht te koalicionimet e fshehura dhe bota serbe. Nga BDI akuzojnë se kandidatët e VLEN-it janë mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe partia e Majta, duke e cilësuar këtë si strategji të përbashkët për të kontrolluar votën shqiptare dhe për të relativizuar historinë e vitit 2001.

“Nuk ka më asnjë dyshim: në çdo komunë ku del kandidat i VLEN-it, është VMRO-ja që fshihet pas tij. E njëjta gjë vlen edhe për të Majtën – një parti që shpesh ka treguar qëndrime më radikale se vetë VMRO. Ky bashkëpunim nuk është vetëm taktikë zgjedhore, por strategji e përbashkët për të kontrolluar shqiptarët dhe për të penguar avancimin tonë politik e kombëtar. Sot po shohim përpjekje për të relativizuar edhe historinë e lavdishme të vitit 2001,  periudhën e kthesës historike për popullin shqiptar në këtë vend.”, - deklaroi Rina Ajdari nga BDI.

VLEN: BDI në ujdi me të Majtën për Strugën

Nga ana tjetër, VLEN-i kundërpërgjigjet se pikërisht BDI është ajo që ka hyrë në marrëveshje me të Majtën, duke e vendosur pushtetin mbi interesat e qytetarëve, veçanërisht në Strugë.

“Sot, ashtu si në “dhomën 161” kur dhanë kryeparlamentarin vetëm për të mbetur në pushtet, BDI ka zgjedhur të bëhet bashkë me të Majtën për të ndaluar ndryshimin. Kjo ujdi e BDI-së me të Majtën është dëshmi e qartë se ata janë tjetërsuar dhe kanë braktisur çdo nevojë të struganëve. Për Ahmetin dhe emisarët e tij, pushteti ka më shumë vlerë se dinjiteti i shqiptarëve, e ardhmja e Strugës apo vota e lirë.”, theksojnë nga VLEN-i.

ASh: “Bota serbe” po merr hov në Shkup

Ndërkohë ASh-ja e Taravarit akuzon se projekti bota serbe po merr hov. Në vend që të mësojë nga paralajmërimet e qarta të Raportit të Parlamentit Europian, Shkupi zyrtar ka lejuar që kjo agjendë të marrë hov. 

“Nënshkrimi i memorandumit mes Fondit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Republikës Serbe, i cili përfaqëson një entitet që sfidon hapur sovranitetin e Bosnjës e Hercegovinës, është një shembull i qartë se si institucionet tona po futen në rrjete që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Po ashtu, kontratat strategjike të MEPSO-s me kompani serbe për projekte kyçe të rrjetit energjetik ngrejnë dyshime serioze mbi varësinë energjetike dhe komprometimin e sigurisë sonë kombëtare.”, theksojnë nga ASh-ja e Taravarit.

Femicidi në Veles, LSDM kërkon dorëheqjen e Toshkovskit

Ndërkohë partitë politike maqedonase përplasen rreth ngjarjes së ndodhur në Veles, ku është vrarë një grua. LSDM-ja kërkon përgjegjësi nga VMRO-DPMNE dhe ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

“LSDM kërkon dorëheqjen e Pançe Toshkovskit dhe përgjegjësi penale për çdo zyrtar që me mosveprimet e tij ka kontribuar që të ndodhë ky krim. Kërkojmë hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për dështimet institucionale. Nuk duhet të ketë policë apo kushdo tjetër i përfshirë në sistemin e mbrojtjes që do të fshihet pas arsyetimeve burokratike.”, - theksoi Kristina Kostova nga LSDM.

VMRO: LSDM përdor tragjeditë për pikë politike

Nga VMRO-DPMNE reagojnë duke thënë se LSDM-ja po përdor ngjarje tragjike për përfitime politike.

“MPB-ja ka vepruar sipas detyrimeve dhe obligimeve të saj ligjore dhe ka dorëzuar kallëzim penal ndaj personit që kreu vrasjen. Pyetja pse ky person nuk ishte në paraburgim, duhet t’u adresohet atyre që LSDM-ja i ka vendosur personalisht në Prokurori dhe në Gjyqësor. LSDM-ja njëherë e përgjithmonë duhet të mësojë të bëjë dallim mes MPB-së dhe Prokurorisë Publike.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)