Maqedoni
Zjarri në Trubarevë, Toshkovski: Hetuesia punon, shpejt do të gjendet fajtori
18.09.2025 15:43
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nuk mohon faktin se ka sulme hibride ndaj shtetit...

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nuk mohon faktin se ka sulme hibride ndaj shtetit, që sipas tij, janë të shumanshme dhe me aspekte të ndryshme. Lidhur me zjarrin në Trubarevë, duke dashur t’ia lë punën hetuesisë, për televizionin Sitell, Toshkovski nuk deshi të komentojë për personat e kapur nga kamera dhe për të dyshuarit mbi 20 persona. Shtoi se së shpejti do të merret vesh nëse pas zjarreve qëndrojnë struktura politike apo qendra nga jashtë.
Cilësia e ajrit në Trubarevë, Ministria e Mjedisit: S’ka tejkalim të vlerave kufitare të grimcave PM 10
Ndërkohë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se në periudhën prej 17.09.2025 (ora 09:30) deri më 18.09.2025 (ora 09:30) janë kryer matje indikative të grimcave të ngurta të pezulluara me madhësi deri në 10 mikrometra, në pikën matëse në zonën e Trubarevës, ku konstatojnë se nuk ka tejkalime të vlerave kufitare të grimcave PM 10.
“Matjet janë realizuar me sistemin automatik AMBICON RTM–PM, një nefelometër që mundëson ndjekjen në kohë reale të koncentrimeve të grimcave në ajër, me seleksionim të fraksionit PM₁₀.
Për monitorim është përdorur instrumenti ES-642, METONE, USA, i certifikuar për matje indikative sipas MCERTS, UK.
Rezultatet nga matjet:
Koncentrimi mesatar: 10.9 µg/m³
Vlera maksimale e matur: 25.6 µg/m³
Vlera momentale: 16.5 µg/m³
Sipas rezultateve të marra, koncentrimet mesatare të grimcave PM₁₀ janë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është evidentuar tejkalim i vlerave kufitare.”.
Zjarret tjera në nivel territorial, QMK: 12 zjarre në mjedis të hapur
Në anën tjetër Qendra për Menaxhim me Kriza me informacione për gjendjen me zjarret në nivel territorial. Deri në mesditë janë regjistruar gjithsej 12 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilët 3 janë aktive, 3 janë nën kontroll, ndërsa 6 janë shuar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
