Botë
Francë, protesta masive, përleshje dhe arrestime
18.09.2025 16:16
Protestat masive në Francë e kanë bllokuar vendin...

Protestat masive në Francë e kanë bllokuar vendin. Sindikatat e mëdha po bëjnë grevë kundër masave shtrënguese të Qeverisë. Protestat po sfidojnë Qeverinë e presidentit Emanuel Makron dhe propozimet e saja për të shkurtuar fondet për shërbimet publike.
Në Paris, policia ka përdorur gaz lotsjellës që në orët e hershme të mëngjesit për të shpërndarë protestuesit. Policia ka arrestuar më shumë se 50 persona në Paris dhe në qytete të tjera franceze, shkruan Le Figaro. Udhëheqësja e sindikatës CGT, Sofi Binet, ka thënë për mediat lokale se prania e fortë e policisë e kërkuar nga ministrja e Brendshme në largim po “i hedh benzinë zjarrit”, duke shtuar se reagimi i policisë ishte shumë i ashpër. Ajo gjithashtu u ka bërë thirrje më shumë njerëzve të bashkohen në protestë, duke nënvizuar “brishtësinë” e kryeministrit të ri dhe nevojën për t’iu përgjigjur kërkesave sociale.
Sindikatat e punës që thirrën greva po bëjnë presion për braktisjen e shkurtimeve të propozuara të buxhetit, ngrirjes së ndihmës sociale dhe masave të tjera shtrënguese që kundërshtarët pretendojnë se do të godasin më tej xhepat e punëtorëve me paga të ulëta dhe të klasës së mesme dhe të cilat shkaktuan rrëzimin e qeverive të njëpasnjëshme.
