Maqedoni

Pensionet, rritja e moshës së pensionit, masë e diskutueshme

18.09.2025 16:42

Në Maqedoninë e Veriut, mesatarja e jetëgjatësisë është më e ulët se mesatarja botërore....

Në Maqedoninë e Veriut, mesatarja e jetëgjatësisë është më e ulët se mesatarja botërore. Në këtë kuptim, duhet të mendohet mirë për masën e rritjes së kufirit të moshës, pasi ajo lidhet si me zhvillimin ekonomik ashtu edhe me mundësinë e njerëzve për të shfrytëzuar mjetet në pension, vlerësojnë shoqëritë pensionale. Përderisa jetëgjatësia e popullsisë sonë mbetet e tillë, llogaritjet tregojnë se kjo nuk është një masë shumë e favorshme, sepse me këtë shkurtohet edhe periudha e shfrytëzimit të mjeteve. Megjithatë, kjo është një çështje që duhet ndjekur dhe përshtatur.
 
“Parashikimet më të reja janë se në vitin 2050 do të jemi një milion e gjysmë. E gjithë kjo flet për joqëndrueshmërinë e shtyllës së parë pensionale, përkatësisht për pamjaftueshmëri të mjeteve dhe detyrimin për të vazhduar me reformat për zhvillim të shtyllës së dytë të detyrueshme pensionale.”, - deklaroi Snezhana Stankoviq nga Shoqëria Private Pensionale.
 
“Tashmë jemi në proces të rishikimit të rregullativës ligjore aktuale, ku duhet të formohen, të ashtuquajtura “multi-fonde”, të cilat do ta ndjekin kufirin e moshës së anëtarëve të fondeve pensionale dhe pikërisht për këtë do të ketë portfolje adekuate, me qëllim që të rritet kontributi i investimeve dhe mbrojtje më të madhe pensionale.”, - theksoi kryetari i Shoqatave të Pensionistëve, Marjan Nikollovski. 
 
Nga MAPAS sigurojnë se paratë e qytetarëve janë të sigurta, ndërsa shoqëritë e pensioneve kontrollohen në baza ditore. 
 
“Qytetarët duhet të jenë të sigurtë se të hollat janë të sigurta. Investohet nga ana e shoqërive të sigurimit, ne i mbikqyrim, i kontrollojmë çdo ditë, çdo muaj, që do të thotë akumulohet një shumë e parave diku rreth 178 miliardë denar, ndërsa anëtarët e shtyllës së dytë numërojnë mbi 620 mijë anëtarë.”, - u shpreh drejtori i MAPAS-it, Remzi Bajrami.  
 
Nga paga bruto, 18.8% rrjedhin për pensione. Prej këtyre parave 12.8% harxhohen për pagesën e pensioneve aktuale, ndërsa 6% shoqëritë e pensioneve i investojnë në instrumente financiare, ndërsa të ardhurat e realizuara ndahen në llogaritë e anëtarëve. 
 
BELINDA KOKA ADEMI