Maqedoni
Iniciativa e Evropës Qendrore, bashkëpunimi rajonal kusht për integrim në BE
21.05.2015 14:51
Rruga për në Bashkimin Evropian kalon përmes bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të politikave makro-strategjike.

Bashkëpunimi rajonal në të gjitha fushat njëherit është edhe kusht kryesor për integrim në strukturat evropiane, thonë nga Iniciativa e Evropës Qendrore.
“Iniciativa e Evropës Qendrore mund të ketë rol më të madh në inkurajimin e vendeve të rajonit për bashkëpunim rajonal deri te integrimi në BE. Mendoj se strategjitë makro-rajonale këtu kanë rolin e vet. Kjo merr kohë, sepse nuk është e lehtë të jesh anëtare e BE-së, të njëjtën e ka kaluar edhe Austria. Si vend amë që kam Austrinë. Ju them se Austria përkrah integrimin e Maqedonisë dhe të rajonit në BE. Ju siguroj se bashkëpunimi mes shteteve është zgjidhja më e mirë"- deklaroi Margot Klestil nga Iniciativa e Evropës Qendrore.
Vendeve ballkanike iu mungon dimensioni horizontal, me çka shtetet mund të rregullojnë dhe të merren vesh për çështje të përbashkëta rajonale.
Momentalisht mungojnë përpjekjet konsistente shtetërore që do të kontribonin në objektivat makro-strategjike rajonale, thonë nga Komisioni Evropian.
“Strategjitë makro-rajonale në këto momente janë shumë të rëndësishme në ndërtimin e kapaciteteve dhe ndërtimin e strukturave udhëheqëse, bëjmë fjalë për kapacitete që kalojnë mbi ato nacionale, pra në ato rajonale e cila do të jepte një qëllim kredibil. Me këtë dua të them se duhet t’i realizojnë makro-strategjitë rajonale që bashkërisht ta ndërtojnë zhvillimin evropian në planin horizontal"- tha drejtori gjeneral për politika rajonale-KE, Andrea Miairate.
Në të ardhmen ka mundësi BE të mundësojë kyçjen e palës së tretë për çështjet që kanë të bëjnë me krijimin e politikave makro-strategjike, pohojnë autoritetet nga vendet e BE-së.
Këto komente u bënë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Integrimi evropian nëpërmjet bashkëpunimit rajonal”.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
