RMV-ja dhe Franca nënshkruajnë memorandum, reforma në administratë sipas modelit francez
Maqedonia e Veriut thellon bashkëpunimin me Francën...

Maqedonia e Veriut thellon bashkëpunimin me Francën në fushën e administratës publike. Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, dhe ambasadori i Francës në vend, Kristof Le Rigoler, nënshkruan memorandum bashkëpunimi ku planifikohet të bëhet shkëmbimi dhe bartja e përvojave franceze në vendin tonë dhe trajnime të administratorëve, ku ata përmes zbatimit të vendimeve prioritare të Qeverisë do të dëshmojnë sjelljet e tyre të përgjegjshme dhe të vetëdijshme konform standardeve evropiane.
Ky projekt, theksuan Minçev dhe Le Rigoler, është pjesë e reformave në administratë, për të përforcuar kapacitetet dhe profesionalizmin e administratorëve, ndërsa Franca është ajo e cila ka ndër përvojat më të mëdha të reformimit të administratës.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të kontribuojë për të bërë reforma thelbësore në administratën publike, përmes përforcimit të kapaciteteve të realizuara përmes dy qëllimeve. E para është mbështetja e Ministrisë për Administratë Publike në themelimin e një Akademie për trajnime dhe zhvillim profesional të administratorëve dhe e dyta është përforcimi i cilësisë së administratorëve përmes shkëmbimit të përvojave dhe trajnimeve të ndryshme.”, - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
“Ky bashkëpunim nuk dëshiron aspak të vendosë sistem të tij ose model, por e kundërta - duam ta ndajmë përvojën tonë të plotë dhe të sqarojmë për gabimet të cilat i kemi bërë. Franca për momentin gjendet në transformim më të thelluar të administratës publike dhe vlerësojmë se është me rëndësi të madhe ta ndajmë përvojën tonë me ju.”, - theksoi ambasadori francez në RMV, Kristof Le Rigoler.
Partneriteti me Francën konfirmon vendosmërinë dhe angazhimin e autoriteteve vendase për të shndërruar administratën tonë më bashkëkohore, profesionale dhe të besueshme konform standardeve evropiane, e cila pa dyshim se do të nxisë zhvillim më të madh të administratorëve, thanë Minçev dhe ambasadori Le Rigoler.
Por, kjo nuk është e mundur nëse reformat nuk përfshijnë edhe departizimin e administratës. Në pakon e tre ligjeve të reja, Minçev paralajmëron ligj për shërbimin e lartë drejtues, për pagat, por dhe për riorganizimin dhe racionalizimin e organeve të administratës shtetërore.
"Mendoj se kemi mundësi të mirë të fillojmë me shkurtimin minimal të të ashtuquajturave bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse ose përmes harmonizimit të numrit të anëtarëve në këto borde. Sigurisht, do të pasojë dhe bashkimi i disa institucioneve të tjera, me ç'rast do të hyjmë në një proces që është obligimi ynë për anëtarësim në BE, ndërsa kjo është shkurtimi për 40% i përdoruesve të buxhetit.”, - u shpreh ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Me këtë rast, Minçev dhe Le Rigoler porositën se transformimi i administratës është i rëndësishëm për transformimin e shoqërisë për t’u integruar në familjen e madhe evropiane, andaj theksuan se është më se e nevojshme që përmes këtyre projekteve qytetarët të jenë ata të cilët në fund do t’i vërejnë dhe ndjejnë shërbimet më efikase institucionale. (Rexhep Qamili, TVM2)
