Botë

Ofensiva tokësore në Gazë intensifikohet, mbi 40 të vrarë, qindra të plagosur në sulmet e fundit

19.09.2025 14:24

Forcat izraelite kanë intensifikuar ofensivën tokësore në qytetin e Gazës...

Forcat izraelite kanë intensifikuar ofensivën tokësore në qytetin e Gazës, duke goditur zonat më të populluara urbane me pretendimin për të çliruar pengje dhe për të shkatërruar infrastrukturën e Hamasit. Nga këto sulme janë vrarë të paktën 40 palestinezë, qindra të tjerë janë plagosur dhe shumë prej tyre janë ende nën rrënoja. Me gjithë këtë bilanc shkatërrimi, ushtria izraelite ka njoftuar hapjen për 48 orë të një të ashtuquajturi "korridor humanitar" nëpërmjet rrugës “Salah al-Din”, duke bërë thirrje për evakuim masiv të popullsisë në jug, një zhvendosje që shumë palestinezë e shohin si fazën e radhës të spastrimit të heshtur të Gazës.
 
“Ushtria izraelite njofton se është hapur një korridor i përkohshëm evakuimi nëpërmjet rrugës “Salah al-Din”, për të lehtësuar lëvizjen drejt jugut. Lëvizja është e lejuar vetëm në rrugët e shënuara me ngjyrë të verdhë në hartën zyrtare. Ndiqni udhëzimet e forcave të sigurisë dhe shenjat rrugore. Për sigurinë tuaj dhe të të dashurve tuaj, përfitoni nga kjo mundësi dhe zhvendosuni drejt jugut të qytetit.”, - deklaroi zëdhënësi i IDF-së, Avichay Adrae.
 
Rrugët e qytetit janë mbushur me makina dhe njerëz që ecin zbathur mes shkatërrimit, ndërsa bombardimet izraelite vazhdojnë. Banorët nuk ikin për zgjedhje, por sepse janë të detyruar.
 
“Zoti i mallkoftë! Nuk na kanë mbetur më asnjë ndërtesë, asnjë shtëpi në Gazë, asgjë tjetër përveç atyre që i godasin ata. Po na detyrojnë të ikim, ky është spastrim etnik, por jemi ende të sigurt dhe të bekuar nga Zoti. Na detyruan të largohemi dhe njerëzit po ecin zbathur në rrugë. Kjo është hera e pestë, për Zotin, nuk e di më sa herë jam zhvendosur. Zoti na mëshiroftë!”, - tha një banor i zhvendosur i Gazës.
 
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, theksoi nevojën urgjente për të ndalur “masakrën që po ndodh në Gazë” dhe bashkë me Turqinë kërkuan reforma në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
 
FARIJE DAUTI BAKIU