Zjarri në Trubarevë, 1 personi i është caktuar një muaj paraburgim, ndërsa 3 janë në arrest shtëpiak
Gjykata Penale ka caktuar 30 ditë paraburgim...

Gjykata Penale ka caktuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin kryesor për zjarrin e Trubarevës gjersa tre persona të tjerë marrin dënimin e arrestit shtëpiak, informojnë nga shërbimet e kësaj gjykate.
Masat për të siguruar praninë e tyre u kërkuan dje nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, si pjesë e hetimit që hapi kundër katër personave dhe subjektit juridik, të cilët akuzohen për veprën penale të rrezikimit të mjedisit dhe natyrës.
Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, një ditë më parë njoftuan se pas analizave të të gjitha provave të mbledhura, është hapur procedurë hetimore ndaj katër personave fizikë dhe një personi juridik për veprën penale “Rrezikimi i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, sipas nenit 230 paragrafi 2 të Kodit Penal.
Cilësia e ajrit në Trubarevë, s’ka tejkalim të vlerave kufitare të grimcave PM10
Ndërkohë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka vazhduar me monitorimin e ndotjes së ajrit.
Sipas rezultateve të bëra mbi cilësinë e ajrit, koncentrimet mesatare të grimcave PM10 janë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është evidentuar tejkalim i vlerave kufitare, thuhet në komunikatën e këtij dikasteri.
Koncentrimet lëvizin brenda vlerës kufitare 24-orëshe për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, në përputhje me urdhëresën për vlerat kufitare për substancat ndotëse në ajrin ambiental. Ministria do të vazhdojë me ndjekjen e rregullt të cilësisë së ajrit dhe me informimin e opinionit në kohë.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacion”. Me orë të tëra ekipet e zjarrfikësve kanë luftuar me zjarrin në fabrikë dhe përmes një operacioni kompleks, u arrit të shpëtohen katër objekte të cilat ndodheshin afër zonës së djegur. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
