Aksion i madh policor, 15 të arrestuar për prerje ilegale të pyjeve

19.09.2025 15:41

Punonjës të NP “Pyjet e Maqedonisë”, policë dhe biznesmenë janë arrestuar në një aksion të madh të MPB-së...

Punonjës të NP “Pyjet e Maqedonisë”, policë dhe biznesmenë janë arrestuar në një aksion të madh të MPB-së lidhur me prerjen ilegale të drurëve në pjesën lindore të vendit. Nga Prokuroria Publike informojnë se ka nisur një hetim kundër 15 personave, të dyshuar për disa krime të rënda të lidhura me prerjen e paligjshme të pyjeve. Ata akuzohen për krijim të organizatës kriminale dhe shkatërrim të pyjeve; gjashtë prej tyre edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa i pari i dyshuar akuzohet edhe për dhënie ryshfeti dhe njëri nga të dyshuarit për marrje ryshfeti.
 
“Në vitin 2025, dy punonjës të një kompanie private dhe një punonjës policie formuan një grup për përfitim të paligjshëm përmes keqpërdorimit të autorizimeve, korrupsionit dhe prerjes së paligjshme të drurit. Në grup ishin përfshirë edhe punonjës të MPB-së, Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit, si dhe persona të papunë. Gjatë periudhës së veprimit, u shkatërua pylli në një sipërfaqe prej 6.000 hektarësh, ku u prenë 1.5 milion metra kub drurë me vlerë mbi 6.4 miliardë denarë. Druri transportohej dhe shitej si i prerë legalisht.”, theksojnë nga Prokuroria Publike. 
 
Prokuroria tregon se punonjësit e policisë mbështesnin grupin duke mos ndërmarrë masa dhe duke informuar organizatorët për patrullat policore. Drejtori i “Pyjeve Kombëtare” jepte leje për prerje të paligjshme, ndërsa shefi i policisë në Dellçevë mbulonte autorët dhe mjetet e përdorura për kryerjen e veprave. I pari i dyshuar, sipas Prokurorisë në gusht dhe shtator 2025, i ka dhënë një ryshfet prej 6.100 euro drejtuesit të ndërmarrjes pyjore për të lejuar prerjen e paligjshme, para thirrjes zyrtare publike për shfrytëzimin e drurit të djegur. Duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes dhe ndikimit mbi hetimin, prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e paraburgimit për të gjithë 15 të dyshuarit.


ERSAN PAJAZITI