Botë

Shqipëri, Qeveria “Rama 4” betohet në Presidencë

19.09.2025 16:29

Një ditë pas miratimit në Kuvend të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat janë betuar sot në Presidencë....

Një ditë pas miratimit në Kuvend të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat janë betuar sot në Presidencë.
 
Pas betimit, Rama dhe ministrat u nisën në këmbë drejt kryeministrisë, ku, pas fotos familjare, u mbajt edhe mbledhja e parë e kabinetit të ri qeveritar.
 
Javën e kaluar, presidenti Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si kryeministër për herë të katërt që prej vitit 2013.
 
Programi i Qeverisë dhe anëtarët e Këshillit Ministror u miratuan me 82 vota ditën e djeshme (18 shtator), në një seancë që u shoqërua me tensione të forta. Edhe pse ishte parashikuar një seancë maratonë, e gjitha zgjati vetëm 25 minuta, ndërsa opozita u largua nga salla gjatë kohës së votimit.
 
Opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale Diella në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.