Botë
Rezoluta e OKB-së për armëpushim në Gazë, ShBA-ja sërish përdor veton
19.09.2025 16:43
Shtetet e Bashkuara përdorën një veto tjetër, duke penguar miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së...

Shtetet e Bashkuara përdorën një veto tjetër, duke penguar miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim në Gazë, duke mbrojtur aleatin e tyre, Izraelin, nga presionet diplomatike serioze.
“Qëndrimi i ShBA-së kundër kësaj rezolute nuk do të jetë surprizë. Ajo dënon Hamasin dhe njeh të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Në mënyrë të gabuar ky këshill legjitimon narrativat e rreme prej të cilave përfiton Hamasi dhe të cilat fatkeqësisht kanë fituar terren në këtë këshill.”, - deklaroi këshilltarja e Misionit të Përhershëm të ShBA-së në OKB, Morgan Ortagus.
“Ky këshill ka dështuar dy herë më parë. Ka dështuar dy herë që të parandalojë gjenocidin. Sot duket se jemi në prag të një dështimi të tretë.”, - theksoi përfaqësuesi i përhershëm i Algjerisë në OKB, Amar Bendjama.
“E di që shumë prej jush janë diplomatë seriozë, por mbështetni një projektrezolutë që guxon të nënkuptojë se Izraeli po vret urie popullin e Gazës, po përsërisni propagandën e Hamasit. Ju recitoni skenarin e shkruar, në vend që të flisni të vërtetën?!”, - u shpreh përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB, Danny Danon.
“Fëmijë që vdesin nga uria, snajperistë që qëllojnë fëmijët në kokë, civilë të vrarë në masë, familje të zhvendosura përsëri dhe përsëri nga rrënojat në rrënoja dhe nga vdekja në vdekje. Personeli i OKB-së, mjekë, humanitarë dhe gazetarë, në shënjestër. Shkatërrim dhe dëme të mëdha që përfshijnë një shoqëri të tërë. Dhe zyrtarë izraelitë që përbuzin hapur gjithë këtë dhe lavdërojnë vlerën reale të shtetit të Gazës.”, - deklaroi vëzhguesi i përhershëm i Palestinës në OKB, Ryad Mansour.
Të 14 anëtarët e tjerë të Këshillit mbështetën rezolutën, e cila u iniciua në gusht pas deklaratës zyrtare të OKB-së për urinë në territorin palestinez, pas gati dy vjetësh luftë në Gazë. Bllokada e vazhdueshme ushqimore nga forcat izraelite pengojnë hyrjen e ndihmave në Gazë, duke detyruar banorët e zhvendosur të presin në radhë për një vakt ushqimor.
FARIJE DAUTI BAKIU
