Maqedoni

Propozim-ligji i ri për notariat, Maqedonia rrezikon të përjashtohet nga BNN

21.05.2015 15:50

Maqedonia rrezikon të përjashtohet nga Bashkësia Notariale Ndërkombëtare nëse miraton propozim-ligjin e ri për notariat...

Kështu është shprehur kryetari i Komisionit Ndërkombëtarë për Bashkëpunim Noterial, Mishell Merlloti, i cili për shkak të propozim-ligjit në fjalë po qëndron në vizitë të jashtëzakonshme në Maqedoni.
 
Merlloti tha se ligji paraqet kërcënim për funksionim të drejtë të notariatit latin në Maqedoni. Bëhet fjalë për një ide të gabuar, me çka Ligji për Notariat në Maqedoni do të jetë i vetëm në tërë botën, që do të parasheh pjesëmarrje obligative të avokatëve gjatë procedurave noteriale.
 
“Për këtë qëllim vendosëm të vijmë në Maqedoni në vizitë të jashtëzakonshme, pasi që vërtetuam se propozim-ligji që ka të bëjë më funksionimin e noterëve në Maqedoni do të paraqet llojin e vetëm në botë dhe me të njëjtin do të mund të shkelen parimet themelore të funksionimit të notariatit, për çka erdhëm të shohim nëse Maqedonia pas miratimit të këtij ligji edhe më tej do t’i plotësojë kushtet për anëtarësim në organizatën tonë ndërkombëtare. Me implementimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Notariat, në RM seriozisht do të vihet në pikëpyetje anëtarësimi i Maqedonisë në Bashkësinë Ndërkombëtare të Noterëve”- deklaroi kryetari i Komisionit Ndërkombëtar për Bashkëpunim Noterial, Mishell Merlloti.
 
Miratimi i ligjit në fjalë, që tani gjendet në procedurë qeveritare, do të rrisë edhe shpenzimet për palët, tha kryetarja e Odës së Noterëve në Maqedoni, Zorica Pulejkova.
 
“Ligji për Notariat gjendet në procedurë para qeverisë. Nëse ai miratohet, normalisht se do të implementohet më së miri që mundet edhe pse besojmë që do të kemi problem serioz gjatë implementimit të atyre dispozitave. Shpenzimet sigurisht se do të rriten për palët”- tha kryetarja e Odës së Noterëve, Zorica Pulejkova.  
                                                            
Me ligjin e ri, palët obligohen që gjatë përpilimit apo nënshkrimit të akteve juridike të marrë pjesë edhe avokati për të gjitha aktet juridike mbi 10, gjegjësisht 20 mijë euro.
 
Maqedonia nga viti 2001 është anëtare e Bashkësisë Ndërkombëtare të Noterëve, ku bëjnë pjesë 86 vende anëtare.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI