Maqedoni

Katastrofa ekologjike në Trubarevë, Filipçe: U konfirmua ndotja, të jepet përgjegjësi

20.09.2025 14:26

Kryesocialdemokrati Venko Filipçe ka akuzuar qeverinë se ka mashtruar...

Kryesocialdemokrati Venko Filipçe ka akuzuar qeverinë se ka mashtruar opinionin publik për ndotjen e ajrit në Trubarevë dhe ka dështuar të reagojë me masa urgjente pas zjarrit që ndodhi ditë më pare.
 
Filipçe shprehet se shifrat alarmante të ndotjes konfirmojnë katastrofën natyrore. Sipas tij për shkak të neglizhencës pushteti është drejtpërdrejt përgjegjës për helmimin e banorëve në Trubarevë dhe zonat përreth. Ai kërkoi përgjegjësi. 
     
“Rezultat zyrtare që u publikuan gjashtë ditë pas shpërthimit të zjarrit tregojnë rritje 12 fish të kadmiumit, 59 nanogramë, kundrejt të lejuarës 5 në metër kub. Janë shënuar vlera të shtuara të arsenit dhe plumbit. Ky është ajri që e kanë thithur fëmijët dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi dhe dorëheqje. Maqedonia nuk është përballur me një qeveri të tillë të papërgjegjshme, e cila në vend që të përballet guximshëm me çdo krizë, ajo përpiqet të shpëtojë rejtingun dhe ti minimizojë gjithçka. Me këtë qeveri qytetarët janë në rrezik të përhershëm pasi nuk mund të jenë të sigurt se do të jenë të mbrojtur nga cilido kërcënim”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe
 
VMRO: Filipçe, llogari për papërgjegjësitë e tij
 
Nga VMRO – DPMNE kërkuan prej Filipçes që të mos aktrojë se brengoset për shëndetin e qytetarëve por t’iu kërkoj qytetarëve për katastrofat e tij shëndetësore të kohës së tij, sikurse viktimat nga virusi korona, mungesa e pajisjeve mjekësore si dhe shkrumbimi i spitalit modular në Tetovë.                                   
 
“Ku ishte Filipçe, pse nuk u përgjigj dhe nuk kërkoi përgjegjësi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë? Ndryshe nga e kaluara, sot institucionet po përgjigjen me përgjegjësi, dhe hetimi do të tregojë se si ndodhi zjarri në Trubarevë. Rreziku i vërtetë për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve është LSD dhe BDI”, thuhet në reagimin e VMRO – DPMNE-së.             
 
Katastrofa ekologjike në Trubarevë erdhi pas djegies së deponive në Vardarishte dhe Drislla. Raportet e fundit të autoriteteve konstatuan se helmet ishin të pranishme në ajër ditën e shpërthimit të zjarrit dhe një ditë pas.
 
Ambientalistët kërkojnë masa konkrete për rehabilitimin e shëndetit të njerëzve pas thithjes së ajrit të ndotur.
 
MERAL ISMAILI