Maqedoni

BDI, qeveria e bllokoi të ardhmen evropiane të vendit

20.09.2025 16:39

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon qeverinë aktuale për ngecje...

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon qeverinë aktuale për ngecje dhe bllokim të vendit në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Ky realitet sipas tyre vjen për shkak të politikave bllokuese, paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të sinqertë nga qeveria aktuale, e cila as në plan nuk i ka ndryshimet kushtetuese.
 
“Kjo gjendje e dëmton drejtpërdrejt perspektivën evropiane të vendit dhe aspiratat e qytetarëve, sidomos të rinisë që ëndërron të ardhmen e saj në familjen evropiane. Për më tepër, mospërparimi i vendit tonë në drejtim të anëtarësimit në BE, sjellë edhe cenim dhe mosrespektim edhe të vetë Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.BDI kërkon përshpejtim të menjëhershëm të hapave drejt hapjes së kapitujve negociues, largim të politikave obstruktive dhe një angazhim të sinqertë e transparent në funksion të realizimit të objektivit strategjik të vendit, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Arbër Ademi nga BDI.
 
Mexhiti, integrimi në BE është prioritet, BDI nuk bëri asgjë
 
Ndërkohë, zv.Kryeministri i parë Izet Mexhiti, thotë se BDI për tetë vite në dikasterin e punëve të jashtme, nuk ka bërë as një lëvizje.Pohon se qeveria ka prioritet integrimin evropian.
 
“BDI pati mundësinë tetë vite të udhëheq edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme,ndërsa integrimet e shtetit nuk i ka lëvizuar as një milimetër.Kështu që ata nuk kanë të drejtë morale të flasin rreth kësaj teme.Qeveria është e fokusuar, në prioritetet më të larta është integrimi evropian”, theksoi zv.Kryeministri i parë Izet Mexhiti.
 
Në thirrjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare,pas kryeministrit Hristijën Mickovski, edhe zv Kryeministri i parë Izet Mexhiti, e bëri të ditur se qeveria ka edhe tre vite për të udhëhequr mandatin qeveritarë dhe se zgjedhje të parakoshme parlamentare, nuk do të ketë.
 
FLORIJE KAMBERI