Maqedoni

Analistët: fraza “Shqipëria e madhe”, defokusim i opinionit

21.05.2015 16:27

Çdoherë kur Tirana apo Prishtina zyrtare reagojnë në mbrojtje të shqiptarëve në Maqedoni, apo shtetet tjera të rajonit...

Çdoherë kur Tirana apo Prishtina zyrtare reagojnë në mbrojtje të shqiptarëve në Maqedoni, apo shtetet tjera të rajonit, shtypi serb dhe një pjesë e shtypit maqedonas vrapojnë të dalin me alarmin për “Shqipëri të madhe”, theksojnë analistët shqiptarë.
 
Kështu ndodhi edhe pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në NATO pa realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe nevojën për hetime ndërkombëtarë për atë që ndodhi në Kumanovë.
 
Po ashtu, sipas analistëve, opinioni maqedonas dhe serb nuk ua kushton të njëjtën vëmendje deklaratave që vijnë nga autoritetet ruse, siç janë së fundmi disa prononcime të shefit të Diplomacisë ruse, Sergej Llavrov, i cili nuk ka ngurruar të fajësojë perëndimin për atë që ndodhi në Kumanovë dhe zhvillimet e fundit në Maqedoni.
 
Por, analisti politik, Mersim Maksuti, thotë se e gjithë kjo që po ndodh në vend është pasojë e mungesës së demokracisë dhe mungesës së funksionimit stabil të institucioneve më të rëndësishme politike e demokratike të Maqedonisë.
 
“Të gjitha problemet që paraqiten në vend, por edhe skenarët që vijnë si rrjedhojë e asaj, është mbi të gjitha pse kanë gjetur një teren të përshtatshëm në RM, vijnë në bazë të mungesës së demokracisë në vend, mungesës së funksionimit dhe respektimit të vlerave të demokracisë dhe mungesës së funksionimit stabil të institucioneve më të rëndësishme politike demokratike të këtij vendi. Prandaj edhe skenari i Kumanovës edhe rritja dhe interesimi i politikës ruse që të rrisë ndikimin e vetë në Ballkan nëpërmjet RM-së paraqitet si moment i përshtatshëm për të bërë këtë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse po ndodhë në këtë krizë politike”- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.
 
Shqetësimi për rritjen e ndikimit të politikës ruse në Maqedoni, sipas analistëve, është edhe më i madh pas tubimit të fundit në Shkup të partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE-së, ku u panë të valëviten edhe flamuj rus, prandaj zërat për frikë nga “Shqipëria e madhe” mund të shihen edhe si një tentim për të zhvendosur vëmendjen pikërisht nga tentimi për rritjen e ndikimit rus në Ballkan, e me atë edhe në Maqedoni.
 
SANIJE KASAMI