Botë
Beograd, paradë ushtarake e ushtrisë serbe
20.09.2025 17:00
Në Beograd ushtria serbe zhvilloi paradën ushtarake...

Në Beograd ushtria serbe zhvilloi paradën ushtarake të titulluar “Forca e Bashkimit”. Gjatë paradës u ekspozuan 2,500 armë dhe pajisje ushtarake, mbi 600 automjete, 70 avionë dhe 20 anije.
Për herë të parë iu prezentuan publikut sistemet raketore izraelite “PULS” dhe droni pa pilot “Hermes 900”, më pas dronët vetëvrasës “Shadow”, si dhe sistemi rus për luftë elektronike “Krasuha”.
Gjatë fluturimit të aviacionit, së bashku me “migët” serbë fluturuan edhe avionët francezë “Rafale”. Presidenti Aleksandar Vuçiq me këtë rast deklaroi se Serbia dëshiron paqe, por edhe di të mbrojë territorin dhe të ardhmen e saj.Parada u mbajt pavarësisht se Serbia po përballet me protesta anti qeveritare të organizuara nga studentët.
Një grup protestuesish u përpoqën ta thyenin kordonin e policisë në vendin ku po mbahet parada, por oficerët përdorën forcë fizike për ta qetësuar situatën.
Parada organizohet me rastin e Ditës së unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar, festë e miratuar në vitin 2020 me iniciativën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, në kujtim të thyerjes së Frontit të Selanikut gjatë Luftës së Parë Botërore.
