Botë

Kamp antiqeveritar para qeverisë, pushteti me kampe para kuvendit dhe në Strumicë

21.05.2015 17:11

Vazhdon kampimi antiqeveritar para godinës së qeverisë...

Qytetarët, organizatat joqeveritare dhe opozita do të qëndrojnë këtu edhe në ditët në vijim derisa nuk plotësohen kërkesat e tyre për dorëheqjen e plotë të kabinetit të kryeministrit, Nikolla Gruevski. 
 
“Sa kohë që jemi këtu me këtë qeveri, gjendja asnjëherë nuk ka qenë stabile, por gjithmonë ka qenë e tensionuar në mënyrë nacionaliste”- tha një qytetar.
 
“Po, do të qëndrojmë këtu deri sa nuk plotësohen kërkesat tona, të rrëzohet kjo  qeveri e Nikolla Gruevskit”- tha një qytetar.
 
“Kërkesat janë veç më të njohura në opinion. Kërkojmë dorëheqjen  e tërë qeverisë, kthimin e institucioneve në duart e qytetarëve e jo në duart e partive”- theksoi një qytetar.
 
Edhe mbështetësit e kampit të dytë vazhdojnë me tendat e tyre para Kuvendit të Maqedonisë.
 
Ata janë këtu, siç thanë, për t’i dhënë mbështetje procesit të bisedimeve të partive politike dhe për t’i rikthyer të gjitha partitë politike në kuvend. 
 
“Ne jemi këtu që të mos kemi tensione, bisedimet të realizohen në mënyrë demokratike dhe të tejkalohet kriza politike në vend”- u shpreh një qytetar.
 
“Këtu jemi në mbrojtje të demokracisë parlamentare, jemi këtu me shpresë se do të tejkalohen të gjithë çështjet dhe se do të fillojë të punojë parlamenti me të gjitha partitë politike”- theksoi një qytetar.
Dy kampet në Shkup janë të vendosura që në fillim të kësaj jave. 
 

REXHEP QAMILI