Maqedoni

Ulrike Lunaçek: në Kumanovë, sulm brutal dhe vrasje e shqiptarëve

21.05.2015 17:48

Hetim ndërkombëtar për ngjarjet në Kumanovë dhe hetim rreth pretendimeve se rastin e ka kurdisur qeveria Gruevski në bashkëpunim me Moskën...

Hetim ndërkombëtar për ngjarjet në Kumanovë dhe hetim rreth pretendimeve se rastin e ka kurdisur qeveria Gruevski në bashkëpunim me Moskën, kërkuan deputetët e Parlamentit Evropian gjatë seancës së djeshme në Strasburg, ku u trajtua situata në Maqedoni.
 
Sipas eurodeputetes, Ulrike Lunacek, dy gjëra janë të qarta. Sulmi në Kumanovë, sipas informatave të saj, nuk ishte një sulm islamik dhe as konflikt etnik.
 
Ajo thotë se nëse autoritet nuk mund të zbardhin rastin e Kumanovës dhe as akuzat nga përgjimet, atëherë qeveria duhet të dorëhiqet. 
 
“Mendoj se secili nga ne është i shokuar nga sulmi brutal dhe vrasja e shqiptarëve në Kumanovë, pak ditë më parë. Dhe situata është shumë e ndjeshme dhe shqetësuese. Duket si ringjallja e fantazmës të së kaluarës. Dhe kjo duhet të hetohet, përfshirë edhe pretendimet se mund të ketë qenë e kurdisur edhe nga ana qeverisë Gruevski, madje edhe me ndikimin e Rusisë. Dhe nëse qeveria Gruevski nuk mund ta bëjë këtë vetë, përfshi edhe faktet nga përgjimet, atëherë ata me të vërtetë duhet të dorëhiqen”- deklaroi eurodeputetja austriake, Ulrike Lunacek.
 
Sipas Lunacek, protesta e së dielës ku, siç thotë, shqiptarë dhe sllavo maqedonas protestuan qetë është një sinjal që duhet t’i udhëheq.
 
Ajo ftoi partitë popullore evropiane që të ndalojnë të mbështesin politikanë nga familja e tyre, të cilët, sipas saj, kanë rrëshqitur nga rruga demokratike dhe sundimi i së drejtës, duke aluduar në mbështetjen e disa partive popullore që mbështesin Gruevskin.
 
Ndërkaq, eurodeputeti, Riçard Hovit, përsëriti se pezullimi i fillimit të negociatave paraqasëse rrezikon të kthejë konfliktet.
 
“Dhe ky sulm vdekjeprurës është një alarm tragjik dhe urgjent, se kjo është një piskamë që duhet dëgjuar. Çfarë ndodhi në Kumanovë dhe në shtet ndoshta nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Evropës, por nëse ne presim që partitë politike të vendit të tregojnë përgjegjësi, siç po kërkojmë, edhe ata me arsye mund të presin angazhimin tonë”- tha eurodeputeti, Riçard Hovit.
 
Edhe përfaqësuesi i grupimit të PPE-së, Eduard Kukan, tha se është e nevojshme të bëhet një hetim i pavarur për ngjarjet në Kumanovë dhe për aferat që po trondisin liderët politikë maqedonas.
 
Gjatë seancës së djeshme plenare, eurodeputetët kanë ftuar Parlamentin Evropian që të mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, njëkohësisht kërkuan nga institucionet vendore që të respektojnë  të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. 
 
SHPËTIM NUREDINI