Gjendja me zjarret në vend, QMK: 4 zjarre aktive
22.09.2025 14:00
Nuk kanë fund zjarret në vend, assesi të shuhen vatrat....

Nuk kanë fund zjarret në vend, assesi të shuhen vatrat. Brenda 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit ka pasur gjithsej 34 vatra zjarri në hapësira të hapura. Prej tyre 27 janë shuar tërësisht, 3 mbahen nën kontroll, ndërsa 4 rezultojnë të jenë aktive. Në Malin Kozhuv dhe Dobra Vodë në Gjevgjeli dhe Makedonski Brod, si dhe në Çuçer Sandevë dhe Butel vazhdon të digjet vegjetacion i ulët pyjor. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve komunale vazhdojnë të veprojnë mbi këto zjarre.
“Momentalisht kemi katër zjarre aktive në të gjithë territorin e vendit, respektivisht në komunën e Gjevgjelisë, në komunën e Makedonski Brodit, Çuçer Sandevës dhe të Butelit. Në malin Kozhuv për momentin e kemi zjarrin më të madh dhe më të rrezikshëm dhe këtu po veprojnë traktorët ajror të DMSh-së dhe një helikopter i MPB-së, ndërsa te zjarret tjera intervenojnë zjarrfikësit lokalë.”, - deklaroi drejtori i QMK-së,
Muhamet Ali.
Deri në këto momente nën kontroll mbahen zjarret në Trubarevë dhe Viniçe në komunën e Gazi Babës, si dhe zjarri në Batincë. Për shkak të rritjes së numrit të zjarreve në vend në këtë periudhë të vitit dhe disa autorë të kapur nga kamerat e sigurisë si i vënë zjarret, ka detyruar autoritetet dhe politikanët tashmë të mendojnë për të iniciuar ndryshime urgjente të dispozitave aktuale ligjore, ku zjarrvënia do të konsiderohet si vepër terroriste, ndërsa për hedhjen e mbeturinave do të ketë dënime me burgim deri në pesë vite.
REXHEP QAMILI
