Maqedoni
Vendimi për rastin “Onkologjia”, Meri Peshevska mori dënim me kusht
22.09.2025 14:23
Gjykata Themelore Penale në Shkup e shpalli Meri Peshevskën fajtore për vepra të rënda kundër shëndetit të njeriut në rastin “Onkologji”...

Gjykata Themelore Penale në Shkup e shpalli Meri Peshevskën fajtore për vepra të rënda kundër shëndetit të njeriut në rastin “Onkologji”, dhe e dënoi atë me dënim me kusht prej dy vitesh burg. Gjykatësja Snezhana Markovska tha se në vendimin e saj, dënimin me dy vite burg e pandehura nuk do ta vuajë nëse Peshevska nuk kryen krim tjetër në pesë vitet e ardhshme. Vendimi vjen pasi mjekja e akuzuar pranoi fajësinë në seancën e parë dëgjimore. Ajo ishte e pandehura e dytë në rastin në të cilin ish-drejtori i Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, si dhe dy onkologë të tjerë, po gjykohen si të pandehur të parë.
“Gjykata i vendos të pandehurës masë alternative të lirimit me kusht. Dënim me burg prej dy vitesh që nuk do të vuajë nëse ajo nuk kryen krim të ri në pesë vitet e ardhshme. Mund të pritet që vetë kërcënimi me burgim mund të arrijë qëllimet e dënimit.”, - deklaroi gjykatësja, Snezhana Markovska.
Në pjesën e rrethanave lehtësuese, ajo përmendi faktin se e pandehura e kreu krimin nga pakujdesia, si dhe pranimin e fajit dhe shprehjen e pendimit për pasojat.
“Kështu, gjykata shqyrtoi provat dhe përcaktoi se e pandehura ende punon në Klinikë, ku është e punësuar që nga viti 2002. Si rrethanë lehtësuese, gjykata mori në konsideratë edhe faktin se e pandehura nuk ishte dënuar më parë me sanksione kundërvajtëse ose penale. Gjykata gjithashtu konsideron se e pandehura e kreu krimin nga pakujdesia, ndjen pendim dhe e ka pranuar fajësinë.”, - theksoi gjykatësja, Snezhana Markovska.
Në fjalën e saj përfundimtare në seancën paraprake dëgjimore të procedurës së veçantë për Peshevskën, ajo tha se ishte keqpërdorur nga kolegët e saj onkologë. Mjekët, kishin një praktikë të përdorimit të një vule nga një onkolog tjetër në mënyrë që pacientët të mund të merrnin terapi në kohën e duhur, por ajo deklaroi se nuk kishte menduar kurrë se rregulli mund të abuzohej. Ajo nuk ishte mjeke kujdestare për shtatë pacientët, të cilët, sipas aktakuzës, u trajtuan në mënyrë të papërshtatshme, por i pandehuri Nino Vasev, i cili përcaktonte terapinë me vulën e saj. Nino Vasev është tashmë në gjyq për një akuzë tjetër në rastin “Onkologji”. Tre mjekë të tjerë akuzohen gjithashtu për atë rast. Vasevi, së bashku me një mjek tjetër, akuzohet për krime të rënda kundër shëndetit të njeriut dhe trajtim të papërshtatshëm, në të cilat ai aplikoi terapi të papërshtatshme tek 29 pacientë në kundërshtim me udhëzimet onkologjike.
VLORA LATIFI TOPOJANI
