Përmirësohet cilësia e ajrit në Trubarevë, nxënësit i rikthehen mësimit në shkollë
Nëntë ditë pas zjarrit në Trubarevë të Shkupit...

Nëntë ditë pas zjarrit në Trubarevë të Shkupit, cilësia e ajrit në këtë lagje rikthehet në kuadër të vlerave të lejuara konformë urdhëresës për cilësinë e ajrit ambiental. Përkatësisht, matjet e fundit rezultojnë se koncentrimi i grimcave PM 10 në 24 orët e fundit ka qenë 11.9 mikrogram në m3. Për këtë arsye, nxënësit e kësaj lagjeje nuk do të zhvillojnë më mësimin online, por do t’u kthehen bankave shkollore.
“Menjëherë pasi që u stabilizua çështja me zjarrin, u stabilizua edhe situata me ajrin. Atje është pastër dhe nuk ka problem. Tani punojmë që të analizohet edhe toka sa të krijohen kushtet.”, - deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
“Nxënësit nga katër shkollat në Trubarevë do të jenë të pranishëm në mësim që nga sot. Nëse Ministria e Mjedisit ose Ministria e Shëndetësisë na informojnë për një ndryshim të situatës, ashtu siç vendosëm menjëherë të kemi mësim online të shtunën dhe të dielën, do ta bëjmë përsëri. Por, për momentin nuk ka rreziqe dhe ato do të shkojnë me prani fizike, sepse nuk ka mësimdhënie më të mirë dhe sukses më të mirë të nxënësve përveç se me praninë fizike.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. (Florije Kamberi, TVM2)
