Ekonomi

Ekonomi, RMV-ja dhe Dubai shqyrtojnë bashkëpunimin

22.09.2025 15:15

RMV mbetet e përkushtuar në rritjen e zhvillimit ekonomik...

Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe kjo do të përforcohet edhe më tej me punën që siguron stabilitet ekonomik, thithjen e investimeve të huaja dhe njëkohësisht, duke i mbajtur investitorët e brendshëm, tha kryeministri Mickoski në takim me përfaqësuesit e biznesit nga Dubai. Me këtë rast, shefi i ekzekutivit shpalosi pasqyrën e investimeve gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe gjysmës së parë të këtij viti. Shton se për momentin kemi ekonomi të konsoliduar, klimë të mirë biznesi, ndërsa deri në fund të vitit pret inflacion të përafërt me 4% ose më pak.
 
“Në tremujorin e tretë të vitit 2024 arritëm një rritje të PBB-së prej 3%, në tremujorin e katërt të vitit 2024 dhe në tremujorin e parë të vitit 2025, 3.2%, dhe në tremujorin e dytë arritëm një rritje reale të PBB-së prej 3.4%. Kemi një rritje nominale prej 7.8%, që është diçka shumë e rëndësishme për të gjithë ne, sepse në fillim, kur po hartonim buxhetin tonë për këtë vit fiskal, disa nga institucionet financiare ndërkombëtare ishin shumë të shqetësuara se nuk do të ishim në gjendje të arrinim 7.5% të PBB-së nominale. Por, ne kemi arritur mbi 7.5%, dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Biznesmeni nga Dubai fton kompanitë tona që të ndërlidhen me afarizmin e vendit të tij dhe të thellohet edhe më tej bashkëpunimi midis Dubait dhe Maqedonisë së Veriut.
 
“Në vitet mes periudhës, 2020 -2024, tregtia midis tregjeve tona ka arritur në një total prej 495 milionë dollarësh amerikanë, duke nxjerrë në pah një trend afatgjatë të angazhimit pozitiv dhe mundësive në rritje. Ftoj komunitetin biznesor të RMV-së që të vizitojnë Dubain dhe ne t’i lidhim me partnerët relevantë biznesorë.”, - theksoi drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike në Dubai, Muhamed Ali Rashed. 
 
Oda ekonomike e Dubait mbetet e përkushtuar për forcimin e lidhjeve midis komuniteteve të biznesit dhe promovimin e flukseve të investimeve që çojnë përpara prioritetet e të dy vendeve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU